Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Opozita kërkon zgjedhje të reja, juristi “parashikon” rezultatin befasues për PDK-në dhe LDK-në

Zërat për zgjedhje të reja në Kosovë kanë filluar të intensifikohen. Fillimisht Aleanca për Ardhmërinë e Kosovën, ndërsa tani Partia Demokratike e Kosovës ka filluar “me dëshira” të tilla.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është shprehur i bindur se vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare në muajt e fundit të këtij viti.

Krasniqi e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti që të dalin në zgjedhje që ai ta shohë nëse qytetarët vazhdojnë t’i besojnë apo jo, duke thënë se “sondazhi i vetëm që vlen sot është kutia e votimit”.

“Shpresa ime është sa më herët, unë besoj sivjet. Këtë vit unë besoj se duhet të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. A është dhjetori a është tetori, është relevante, sa më herët është më mirë. Unë besoj që s’duhet me u frikësu prej zgjedhjeve. Nëse Qeveria, nëse kryeministri Kurti beson që ka bo punë të mirë, beson që ka mbështetje, hajde dalim në zgjedhje dhe shikoje a po të besojnë njerëzit njëjtë. Nuk janë më me rëndësi sondazhet, ato janë irelevante, sondazhi i vetëm që vlen sot është kutia e votimit, qytetari i Kosovës”, deklaroi shefi i partisë më të madhe opozitare.

Në një vijë me kryetarin e saj është edhe deputetja Eliza Hoxha.

Hoxha ka thënë se edhe kryetari i PDK-së tash e sa kohë e ka thënë se duhet të shkohet në zgjedhje, meqë vendi s’mund të mbetet peng i dëshirave të një personi.

“Kryetari tash e sa kohë ka dalë me alternativën që duhet të shkohet në zgjedhje. Sepse vendi s’mund të mbetet peng i kapricove të një personi”, ka thënë ajo.

E pyetur se ku qëndron PDK në sondazhe, ajo ka deklaruar se “qëndron mirë”.

Për zgjedhje të reja ka folur juristi Muhamet Kelmendi, i cili i konsideron ato të shëndetshme nëse do të mbaheshin.

Sipas Kelmendit, nga gjendja aktuale përsëri prinë LVV, ndërsa rezultati do të jetë për vendin e dytë.

“Zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, nëse mbahen, janë të shëndetshme për Republikën. Është vështirë të parashikohet dhe të jepet një mendim adekuate mbi rezultatin e zgjedhjeve, nëse aton mbahen tash, për në Kuvendin e Kosovës. Shikuar nga gjendja aktuale përsëri prinë LVV. Pas kësaj konkurrojnë dy partitë opozitare. Nuk dihet se a është PDK a LDK e dyta apo e treta. Të dyja janë në baraz peshë politike. Në pozitë të katërt mendohet të jetë AAK-ja. Sa do të jenë përqindjet e subjekteve në Kuvend nuk ka mundësi të ipet ndonjë mendim. Unë nuk di ndonjë sondazh..”, shprehet Kelmendi.

Ai përmend temat “e nxehta” për tërheqjen e votave të votuesve.

“Jam i mendimit se temat e nxehta dhe që tërheqin votën e votueseve janë disa: E para, është gjendja në veri të Kosovës, në katër komunat atje. E dyta, dialogu me shtetin serb. E treta, raportet midis Kosovës dhe SHBA-ve si dhe me UE-në. E katërta, lufta kundër krimit dhe korrupsionit. E pesta, gjendja ekonomike dhe sociale ne vend. E gjashta, intergrimet në UE. Ka edhe tema tjera domethënëse, por që këtu nuk po i numëroj”, thekson Kelmendi.

Sipas tij, partia që e udhëheq presidentja vetëm në koalicion me LVV do të ketë ardhmëri.

“Kudo në këto çështje prin në popull qëndrimi i KM, z Kurti. Nuk ka mundur as PDK, as LDK të nxjerrin apo të marrin tema tjera, sikurse është siguria, sovraniteti, gjendja sociale, papunësia, ikja nga vendlindja etj, në masa. Me dy kryetarët, z.Krasniqi të PDK-se dhe z. Abdixhiku të LDK-së, e kanë shumë të rëndë të ecin këto dy parti dhe të bëhen konkurruese në zgjedhje. Ndërsa, sa i përket partisë së re të Presidentes, që e udhëheqë z.Gërvalla-Schëarz, ajo vetëm në koalicion me LVV-në ka ardhmëri. Vetëm për vetëm e ka mandatin e fundit në Kuvend. Nuk e arrin 5%. AAK e ka të garantuar, me gjendjen që e ka në Rrafshin e Dukagjinit, pozitën në Kuvend si parti parlamentare”, deklaron ai.

Tutje, sipas Kelmendit, zgjedhjet janë mjet shërues dhe i japin perspektivë vendit.

“Sa do të jetë përqindja varet nga gjendja ….?Megjithatë, duhet të thuhet, se zgjedhjet janë mjet që shërojnë plagët dhe i jepe perspektive vendi. Në anën tjetër, edhe partitë e shohin pozitën, kuadrin udhëheqës dhe temat me të cilat fitohet a humbet në zgjedhjet e përgjithshme?

Zgjedhjet, pra, janë mjet shërues në Kosovë”, përfundon ai.