Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Opozita serbe: Incidentet në protestë i shkaktuan “huliganët e autoriteteve”

Koalicioni “Serbia kundër dhunës” (SPN) pretendon se incidentet në protestën e opozitës në Beograd më 24 dhjetor u shkaktuan nga “huliganët e dërguar nga qeveria”.

“Autoritetet përdorën dhunë për t’i paraqitur protestat paqësore si të dhunshme”, thuhet në deklaratën e SPN-së.

Ky koalicion shtoi se “dërgimi i huliganëve” për të shkaktuar incidente në protestë është përdorur nga qeveria për ta dëmtuar iniciativën e protestuesve që kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

“Regjimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka treguar edhe një herë fytyrën e tij të vërtetë, të dhunshme”, tha koalicioni “Serbia kundër dhunës” më 25 dhjetor.

Në deklaratën e SPN-së thuhet se njësitë speciale kanë përdorur forcë brutale ndaj qytetarëve.

“E rrahën njërin nga demonstruesit dhe ia thyen këmbën, duke e goditur me shqelma përderisa ishte i shtrirë në tokë. Pas protestës, policia sulmoi edhe Radomir Lazoviqin nga Fronti i Gjelbër i Majtë”, thuhet në njoftimin e SPN-së.

Ky koalicion politik deklaroi se janë arrestuar një numër i madh i qytetarëve paqësorë, për të cilët paralajmëroi se do të sigurojë mbrojtje ligjore.

“Pavarësisht kostos, ne nuk do ta pranojmë kurrë vjedhjen që u organizua në zgjedhjet e 17 dhjetorit”, tha SPN-ja./Rel/

Tags: