Opozita serbe kërkon nga Bashkimi Evropian që të dënohet personalisht presidenti serb Aleksandar Vuçiq për sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator dhe jo shteti i Serbisë.
Pesë parti opozitare i janë drejtuar me një letër zyrtare Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Joseph Borrell, ku shprehen të shqetësuar për sanksionet e mundshme që Serbia mund të përballet nga ndërkombëtarët, duke u distancuar nga qëndrimet e Vuçiqit
“Jemi thellësisht të shqetësuar për njoftimet për mundësinë e vendosjes së masave kundër Serbisë. Çdo veprim armiqësor që prek Serbinë dhe popullsinë e saj vetëm sa do të rrezikonte më tej vendin tonë dhe rajonin, do të forconte euroskepticizmin ekzistues dhe narrativën e rrezikshme nacionaliste dhe do ta kthente Serbinë në imazhin e saj të viteve ’90. Nga ana tjetër, përgjegjësia politike dhe personale e Aleksandar Vuçiqit për situatën aktuale është e dukshme. Prandaj, ndaj tij dhe ndaj aleatëve të tij më të afërt politikë duhet të vendoset çdo masë e mundshme”, thuhet në letër, transmeton Telegrafi.
Për destabilitetin në veri të Kosovës, në një pjesë të madhe ata bëjnë përgjegjës presidentin serb.
“Aleksandar Vuçiq dhe qeveria e tij mbajnë një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë politike dhe përgjegjësi tjera për ngjarjet në Banjskë”, theksojnë opozitarët serbë në letrën dërguar Borrellit.
Më tej në letër thuhet se “Aleksandar Vuçiq është drejtpërdrejt përgjegjës për inkurajimin e përfaqësuesve serbë që të largohen nga institucionet e Kosovës, veçanërisht njësitë policore, por edhe për imponimin e zgjidhjeve autoritare dhe jodemokratike. Si rezultat, ajo shkaktoi dhunë dhe viktima politike si z. Oliver Ivanoviq dhe të tjerë, dhe nxiti një gjendje të përgjithshme pasigurie dhe dëshpërimi, e cila çoi në një valë të re emigracioni”.
Ata theksojnë se Vuçiq është pjesë e problemit, jo zgjidhja e situatës aktuale si në Serbi ashtu edhe më gjerë.
“Qeveria demokratike në Serbi është një parakusht për të kërkuar zgjidhje afatgjata për problemet komplekse, si në Kosovë, ashtu edhe për stabilitet dhe paqe më të gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, përfundojnë ata në letrën e tyre, duke shtuar se “duan ta kthejnë Serbinë në një partner, jo dikush që saboton stabilitetin”.
“Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë të bashkëpunojë për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa do të presin fundin e hetimeve për të vendosur nëse do të ketë sanksione ndaj Beogradit zyrtar”, përfundon letra.