Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, ka prezantuar të dhëna për cilësinë e derivateve të naftës në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate Arton Demhasaj tregoi që sipas anketimeve të kryera, diku rreth 90 për qind e qytetarëve janë ndarë të pakënaqur me cilësinë e derivateve të naftës në Kosovë.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në një farë forme e ka për obligim matjen e cilësisë së derivateve. Cilësia e derivateve duhet të matet edhe në pikat doganore kur hyjnë në Kosovë, por njëkohësisht të ketë edhe mostra që bëhet matja e tyre edhe në pikat shpërndarëse dhe pastaj ky raport të jetë publik, në mënyrë që secili qytetar të ketë mundësinë ta sheh se cfarë cilësie të derivateve ka në Kosovë. Diku 67 apo 68 për qind e anketimeve, janë deklaruar që cilësia e derivateve është e keqe, ose shumë e keqe, për cilësi të mirë janë diku vetëm 3 përqind që janë deklaruar, ndërsa për cilësi shumë të mirë janë vetëm 0.68 përqind. Kjo tregon që diku afër 70 përqind të qytetarëve të Kosovës janë të pakënaqur me cilësinë e derivateve në Kosovë”, deklaroi Demhasaj.
Në pyetjen se a kanë vërejtur përmirësim të cilësisë së naftës viteve të fundit, Demhasaj tregoi që sipas anketimeve është deklaruar që 73 për qind e qytetarëve nuk kanë vërejtur përmirësim të cilësisë së naftës gjatë viteve të fundit.
“Pastaj i kemi pyetur që a janë ankuar qytetarët për shkak të cilësisë së dobët të derivateve, 96 përqind thonë se nuk janë ankuar”, theksoi më tej Demhasaj.