Miliona të krishterë ortodoksë në mbarë botën kremtuan Pashkët, duke marrë pjesë në meshat e mesnatës për të shënuar ditën më të shenjtë në kalendarin ortodoks.
Në Moskë, presidenti rus, Vladimir Putin, iu bashkua besimtarëve mëngjesin e 5 majit në kishën kryesore në kryeqytetin rus, Katedralen e Krishtit Shpëtimtar, dhe mori pjesë në shërbesën e udhëhequr nga kreu i Kishës Ortodokse Ruse, patriarku Kirill.
Gjatë shërbesës, Kirill, një mbështetës i fuqishëm i Putinit dhe i luftës në Ukrainë, u lut për mbrojtjen e “kufijve të shenjtë” të Rusisë, duke thënë se shpreson që Zoti do të ndalë “mosmarrëveshjet e brendshme” mes Rusisë dhe Ukrainë, raportoi agjencia ruse e lajmeve, TASS.
Besimtarët ortodoksë ukrainas, ndërkaq, u mblodhën në katedralen kryesore në Kiev dhe në kisha të tjera në mbarë shtetin për të shënuar festën.
Kisha Ortodokse e Ukrainës zyrtarisht u nda nga kisha ruse më 2019, pas dekadash tensione. Një pjesë e vogël e kishave ortodokse ukrainase vazhduan të mbanin raporte me kishën ruse, por këto kisha i shkëputën raportet më 2022, pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Të dy degët kanë pasur mosmarrëveshjen për kontrollin e pronave dhe vendeve kryesore ortodokse në shtet, duke përfshirë edhe një prej vendeve më të shenjta për ortodoksët në mbarë botën, Manastirin e Shpellave, që gjendet në Kiev.
Në një intervistë dhënë për Shërbimin Ukrainas të Radios Evropa e Lirë në vigjilje të Pashkëve, mitropoliti Epiphanius, kreu i Kishës Ortodokse të Ukrainës, tha se ka pasur një rritje të dukshme të kërkesës për kapelanë, që punojnë së bashku me njësitë ushtarake ukrainase që po luftojnë me forcat ruse.
“Sigurisht, për ukrainasit aktualisht kushtet janë të vështira, por ne po bëjmë gjithçka për të mbështetur ukrainasit”, tha ai.
Të krishterët ortodoksë ndjekin kalendarin julian dhe jo atë gregorian dhe festojnë Pashkët këtë fundjavë, përderisa shumica e kishave perëndimore e kanë shënuar këtë festë më 31 mars.
Nën patriarkun Kirill, Rusia ka shtypur disidencën e brendshme dhe një prift po përballet me dëbim pasi ka refuzuar që t’i lutet Zotit që ta udhëheqë Rusinë drejt fitores ndaj Ukrainës. Ndërkaq, një tjetër prift është pezulluar nga puna pasi ka udhëhequr shërbesën përkujtimore pranë varrit të Aleksei Navalnyt, liderët të opozitës që vdiq në një burg në Arktik në muajin shkurt.
Në Gjeorgji, shtet që po përballet që disa ditë me protesta masive për shkak të një legjislacioni kundërthënës, qytetarët ndezën qirinj dhe morën pjesë në mesha të organizuara në Tbilisi dhe në kishat në mbarë vendin.
Edhe besimtarët ortodoksë në Kosovë kanë shënuar këtë festë duke marrë pjesë në meshat e organizuara në mesnatë në kishat dhe manastiret ortodokse në mbarë shtetin.