Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ortoprotetika ende s’është gati për protezat e invalidëve të UÇK-së

 
   

Shërbimi Klinik Orto-protetik në QKUK, është vendi të cilin Qeveria e Kosovës po synon që ta kthejë në adresë për invalidët e UÇK-së, për vendosjen e protezave. Udhëheqësi dhe stafi profesionist tregojnë se plani për këtë ide tashmë është miratuar, por ende nuk ka nisur trajnimi i stafit, gjë e cila pritet ta vonojë procesin. Aktualisht aty ofrohen dhe prodhohen proteza më shumë për shërbime bazike, por jo edhe të nivelit për invalidët e luftës të cilët kanë mbetur pa mjekim të gjymtyrëve.

“Një këmbë për mikun tim fatkeq”. Ky është titulli që mban shkrimi i një gazete të përditshme në vitin 2005 në Kosovë.

Aty thuhet se në vitet 1999-2003, 106 persona kanë vdekur dhe 328 të tjerë janë lënduar nga minat tokësore të vendosura gjatë luftës.

Adresa e vetme në sistemin publik shëndetësor për ata që shpëtojnë të gjallë por pa gjymtyrë është Ortoprotetika në QKUK, klinika në muret e së cilës qëndrojnë të ngjitura faqet e kësaj gazete.

Personi që po kryen këto kontrolle dikur ishte në karrigen e këtij të moshuari.

Për dallim prej tij, Shaip Loshi, pjesën e poshtme të këmbës së majtë nuk e kishte humbur në vend të punës por duke luftuar, veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në vitin 2000 pas trajtimit sepse kam qenë pacienti i parë i kësaj qendre, një organizatë që e ka menaxhuar këtë qendër më ka punësuar. Prej vitit 2000 e bëj prodhimin e mjeteve ortopedike, zakonisht merrem me gjymtyrët e poshtme”, thotë Loshi.

Pasi tregon historinë frymëzuese dhe kryen matjet, ai nis punën për prodhimin e protezës për këmbët e pacientit.

Kjo është dhoma ku skalitet forma e dalin produktet, të cilat sipas përgjegjësit, janë sipas standardeve, por jo sipas dinamikës së jetës.

“Nuk i përmbushin nevojat me ec për shembull gjysmë ore ose një orë me pas ndonjë aktivitet në ambient të hapur në natyrë apo diçka të ngjashme. Në këto raste vërehet mungesa e cilësisë ose protezave që ofrohen këtu. Përndryshe, për nevoja elementare i përmbushim kërkesat”, thotë përgjegjësi i njësisë së Ortoprotetikës, Haki Krasniqi.

Shumica e invalidëve të luftës për shkak të dëmtimeve në shkallë më të lartë, kanë nevojë për proteza më të sofistikuara.

Kjo kategori nuk ka marrë asnjëherë shërbime në Ortoprotetikë, por që pritet të ndryshojë me Planin e veprimit për furnizim të qytetarëve me proteza 2023-2025.

Drejtori Lulzim Geci tregon se trajnimi i stafit dhe blerja e materialit do të bëhet krahas ekzaminimit të të gjithë invalidëve, për të parë llojin e materialit të protezës dhe pjesën teknike.

Plani për të cilin flet Geci është miratuar dhe sipas tij është në fazën e zbatimit.

“Prej muajit mars më duket është miratu nga ana e Ministrit të Shëndetësisë, është e paraparë trajnimi i stafit si pika kryesore këtij plani të veprimit trajnimi i stafit, për proteza të cilat faktikisht është inicuar ky planifikim. Trajnimi nuk ka filluar është mungesë e buxhetit, shpresojmë që nëse sigurohen mjetet ka me fillu këtë vit, nëse jo vitin tjetër me buxhet të 2024”, thotë Geci./RTVDukagjini/

Mbi 100 invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë në pritje për t’i ndërruar protezat e gjymtyrëve të humbura në luftë, ndërsa 17 me nevojë urgjente për ndërhyrje. Sipas Shoqatave të Invalidëve të Luftës, me ardhjen e Qeverisë Kurti nuk është financuar mjekimi i invalidëve.

Nga Zyra e Kryeministrit për RTV Dukagjini javën e kaluar kanë deklaruar se po synojnë që këto shërbime të ofrohen në Shërbimin Klinik Orto-protetik, e jo në spitale private, kjo edhe për t’i shmangur mundësitë e keqpërdorimeve të mundshme financiare.