
Të premten, më 28 shkurt, Jelena Gjukanoviq u arrestua në rajonin e Mitrovicës.
Ajo dyshohet se ka kryer aktivitete të spiunazhit për BIA-n.
Sot, asaj iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji.
Nga mediat u raportua se Gjukanoviq ishte punonjëse e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE).
Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe misioni i kësaj të fundit në Kosovë.
OSBE në reagim thotë se janë në dijeni për raportimet e mediave dhe se janë në kontakt me përfaqësuesin e tyre ligjor.
Tutje, në reagim thuhet se ky mision nuk mund të komentojë më tej për këtë rast për shkak të hetimeve në vazhdim, duke shtuar se mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me autoritetet përkatëse.
“Misioni është në kontakt si me institucionet përkatëse ashtu edhe me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë për të siguruar respektimin e procesit të duhur”, thuhet në reagim.