Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani: Ambiciet imperialiste të Rusisë mund të shtrihen në Ballkan

Ukraina është vetëm ndalesa e parë e ambicieve imperialiste të Rusisë, deklaroi të mërkurën ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Sipas tij, pas Ukrainës, agresioni rus pritet të përhapet edhe në vende të tjera të Evropës Lindore, përfshirë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këto komente Osmani i bëri në një takim në Shkup me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s, me rastin e shënimit të 4-vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veri-atlantike.

“Rajoni gjithnjë e më shumë po bëhet fushë për garë gjeopolitike. Ballkani Perëndimor është në vijën e zjarrit mes perëndimit dhe lindjes, mes demokracisë dhe autoritarizmit. Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës tregoi se arkitektura ushtarake e sigurisë në Evropë është prishur dhe ashtu siç kam thënë edhe në raste tjera, Ukraina është ndalesa e parë e ambicieve imperialiste të Rusisë. Pas Ukrainës, agresioni rus pritet të përhapet edhe më tej në lindje drejt Moldavisë, Kaukazit, Gjeorgjisë dhe besoj se stacioni i radhës do të jenë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Osmani.

Sipas tij, agresioni rus nuk paraqet vetëm sulm direkt ndaj Ukrainës, por edhe sfidë mbi të drejtën ndërkombëtare, vlerat dhe normat që sollën prosperitet dhe siguri në Evropë.

Osmani theksoi se në një situatë të tillë të kërcënimeve mbi paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë, integrimet evropiane dhe euroatlantike duhet të jenë prioritet për demokracitë perëndimore.

“Tani, si asnjëherë më parë integrimi evropian dhe euroatlantik i Ballkanit Perëndimor duhet të konsiderohet si një mjet i fuqishëm për përmirësimin e sigurisë dhe konsolidimin e stabilitetit të krahut juglindor të NATO-së”, u shpreh ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut./rel