Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani diskuton me Lajçakun për dialogun

 
   

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka diskutuar me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, për zhvillimet e fundit në këtë proces.

Osmani, e cila është në Nju Jork dhe është duke zhvilluar takime me diplomatë të huaj në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se suksesi në dialog është i lidhur me zbatim të balancuar dhe të plotë të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksit të saj.

Përveç kësaj, ajo ka përmendur edhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat sipas saj, janë duke pasur ndikim te qytetarët e Kosovës.

Blloku evropian ka vënë masa ndëshkuese muaj më parë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Në komunat veriore me shumicë serbe, banorët lokalë nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe me raste situata është përshkallëzuar në dhunë.

Kosovës i është kërkuar të punojë në përshkallëzim dhe të koordinohet me fakton ndërkombëtar për hapa të mëtejshëm.

Lajçak e ka zhvilluar rundin e ri të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel, më 14 shtator.

Ky takim ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Pas përfundimit të takimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka akuzuar Lajçakun për qasje të njëanshme, në përputhje me qëndrimet e Serbisë, por blloku evropian i ka konsideruar akuzat si të pabaza.

Për stabilitetin në Kosovë dhe rajon, Osmani ka biseduar edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Bliken.

Përmes një postimi në X – platformë e njohur paraprakisht si Twitter – presidentja ka thënë se aleancën e Kosovës me Shtetet e Bashkuara është ekzistenciale dhe e pathyeshme./REL