Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani, drejt Britanisë, për samitin e Komunitetit Politik Evropian

 
   

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se është nisur për të shkuar në Britani të Madhe, për të marrë pjesë në takimin e katër të Komunitetit Politik Evropian.

Në platformën X, ajo ka theksuar se  do të rikonfirmojë devotshmërinë e Kosovës për rrugën euroatlantike.

“Në emër të Republikës së Kosovës, do të takohem me kolegë liderë nga i gjithë kontinenti për të diskutuar zgjidhjet e çështjeve urgjente që ndikojnë në sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve tanë”.

“Ne gjithashtu do të riafirmojmë përkushtimin tonë për forcimin dhe rritjen e aleancave të Kosovës, dhe për ta sjellë vendin tonë më afër institucioneve euroatlantike”, ka shkruar Osmani.

Osmani do t’i bashkohet 46 liderëve të tjerë të shteteve evropiane, institucioneve të BE-së, NATO-s, e organizatave të tjera ndërkombëtare, me qëllim të adresimit të çështjeve më urgjente për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve anekënd Evropës.

 Ajo do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të EPC-së, si dhe në tryezën e rrumbullakët të liderëve me temë “Mbrojtja e demokracisë: luftimi i manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja”.

Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe Kryeministri Keir Starmer.