Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po mban një konferencë për media, ku tha se ka vendosur që mos ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Ndër të tjera, ajo ka folur edhe për deklaratat, që i quajti kërcënime sa i përket kësaj çështje, raporton Sinjali.
Pa përmendur emra, Osmani tha se është shqetësuese kur zyrtarët e institucioneve të drejtësisë kërcënojnë kreun e shtetit, me qëllim marrjen e ndonjë vendimi.
“Është shqetësuese kur zyrtarët e institucioneve tona të drejtësisë mendojnë që mund ta kërcënojnë kreun e shtetit. Në një vend demokratik, ata që mendojnë që mund të marrin vendime, duke kërcënuar kreun e shtetit, do të përfundonin jashtë sistemit. Por për fat të keq, e kemi sistemin si e kemi, prandaj vettingu është i domosdoshëm. Nuk do të marrin asnjëherë nënshkrime me presione të tilla”, tha Osmani.