Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Osmani e Konjufca bëjnë thirrje për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

 
   

Në përvjetorin e 25 të masakrës në Çikatovë të Vjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca bënë thirrje për vendosjen e drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë.

E para e vendit, Vjosa Osmani tha u drejtua të gjitha institucioneve të drejtësisë që t’i marrin në pyetje dëshmitarët dhe t’i mbledhin provat, në mënyrë që të fillojnë proceset gjyqësore për ata që kanë kryer këto krime.

Osmani: I bëjmë thirrje institucioneve për vendosjen e drejtësisë për krimet e luftës

“Po ashtu, ka ndodhur me 17 prill të 99-ës një prej masakrave më të rënda gjatë luftës në Kosovë. Edhe këtu Serbia gjenocidale e Millosheviccit ka vrarë fëmijë, gra e pleq, njerëz të pafajshëm, njerëz të cilët thjeshtë dëshironin të jetojnë në liri. Edhe këtu sikurse edhe në masakrën e Poklekut, ka të mbijetuar të kësaj masakre, ka dëshmitarë të kësaj masakre. Prandaj, i bëjmë thirrje sërish nga këtu, në 25 vjetorin e këtyre masakrave të tmerrshme të gjitha institucioneve të drejtësisë që t’i marrin në pyetje dëshmitarët, t’i marrin deklaratat e tyre, t’i mbledhin provat. Sepse ka kaluar kohë shumë e gjatë dhe është domosdoshme që të ketë drejtësi dhe pas mbledhjes së provave të fillojnë të gjitha proceset gjyqësore për ata që kanë kryer këto krime të tmerrshme”, tha Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se masakrat e kryera tregojnë për qëllimin e pushtetit serb në shfarosjen dhe zhdukjen e kombit shqiptar. Ai tha se ky qëllim i Serbisë nuk u arrit falë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të NATO-s.

Konjufca: Qëllimi i Serbisë ishte shfarosja dhe zhdukja e popullit të Kosovës

“Po i nderojmë të rënët, martirët e Poklekut e Cikatovës së Vjetër në 25 vjetorin e masakrave që i kreu Serbia okupatore në Kosovë. Qëllimi i Serbisë ishte që përmes vrasjes së popullatës të Kosovës, e duke mos e kursyer askënd, as fëmijët, as pleqtë, as gratë të krijonte tmerr e frikë në popullin e Kosovës, që ne ta lëshonim Kosovën e ata ta bënin Kosovën serbe. Ky ka qenë qëllimi i vërtetë i gjenocidit, shfarsoja dhe zhdukja e popullit tona nga Kosova…Ky qëllim nuk u arrit, për arsye se ne si popullatë ishim të aftë ta krijonim Ushtrinë Clirimtare të Kosovës falë luftës së lavdishme të së cilës, në bashpëunim të ngushtë edhe me forcat e NATO-s u shporr Serbia nga Kosova dhe populli e gëzoi lirinë e shumë pritur“, tha Konjufca.

Në homazhe mori pjesë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Në Poklek të Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeç.