Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Grupit Punues të BE-së për Ballkanin Perëndimor me të cilët ka biseduar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe procesin e dialogut me Serbinë.
Osmani theksoi progresin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencës, qeverisjes së mirë dhe në veçanti respektimit të të drejtave të njeriut.
Ajo rikujtoi se Kosova ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE, në dhjetor të vitit 2022 dhe se është e përkushtuar për t`i përmbushur obligimet dhe kriteret për anëtarësim.
“Kosova është në linjë të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Rrjedhimisht duhet të ecet përpara me statusin e vendit kandidat”, tha Osmani.
Duke folur për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë në funksion të rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut.
Osmani theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtejme nga shtetet edhe në fazën e fundit, në votimin që mund të mbahet në muajin maj, në Komitetin e Ministrave.