Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se në interes të shteteve dhe të rajonit është zbatimi i marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Osmanit këto janë edhe qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar. Ai ka thënë se për situatën në veri komunitetit ndërkombëtar është shumë i shqetësuar.
“Edhe për zhvillimet tani por edhe për pasojat që mund të jenë në të ardhmen, duke qenë se jemi edhe neve ministrave shqiptarë në Maqedoninë e Veriut na drejtohen edhe për ndihmë, që të shprehen këto shqetësime, se mund të ketë pasoja nga ngecjet në implementim e marrëveshjeve. Natyrisht të gjithë jemi të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e temave, për nevojën e mbrojtjes së interesit të Kosovës, por nga eksperienca jonë neve asnjëherë nuk na ka dalë keq kur kemi bashkëpunuar ngushtë me SHBA-të, edhe në momente kur kemi vlerësuar se e kanë gabim”, ka theksuar Osmani, duke shtuar se është i bindur që nuk ka dilema në komunitetin ndërkombëtar se Kosova është e pavarur dhe në kuadër të këtyre kufijve do të anëtarësohet në BE dhe në NATO një ditë.
Kur është pyetur për sanksionet që ka vendosur bashkësia ndërkombëtare ndaj Kosovës, Osmani ka thënë se Kosova duhet t’u mbështetet qëndrimeve dhe pikëpamjeve të Uashingtonit dhe Brukselit.
“Ky është drejtimi i vektorit të përgjithshëm të qasjes së vektorit ndërkombëtar, mund të kemi dallime të qasjes së tyre në këto beteja të vogla, mirëpo jo edhe në vektorë, jo edhe në ato qasje strategjike. Mendoj se duhet t’u mbështeteni pa asnjë dilemë dhe fuqishëm pikëpamjeve dhe qëndrimeve të Uashingtonit dhe Brukselit”, është shprehur ai.
“Të gjitha shtetet që kanë rrugëtuar drejt BE-së kanë bërë kompromise të dhimbshme“
Osmani ka folur edhe sa u përket ndryshimeve kushtetuese që Maqedonia e Veriut duhet të bëjë, duke përfshirë komunitetin bullgar në Kushtetutë, për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Osmani ka thënë se kjo është temë e ndjeshme në Maqedoninë e Veriut.
“Sepse ne kur ndryshuam emrin u thamë njerëzve ky është kusht për anëtarësim në BE, bëmë edhe referendum për këtë çështje dhe tani është një përshtypje e njerëzve se kjo është bërë një cak në lëvizje, sapo bëjmë një kompromis na shtohet një kompromis tjetër”, ka theksuar Osmani.
Megjithëkëtë sipas tij ky nuk është konspiracion nga Maqedonisë së Veriut dhe se procesi i anëtarësimit në BE ka qenë i vështirë për të gjitha shtetet.
Ai ka përmendur se Kroacia njësoj është dashur ta ndryshojë Kushtetutën dhe të inkorporojë 25 komunitete në të.
“Të gjitha shtetet që kanë rrugëtuar drejt Bashkimit Evropian është dashur të bëjnë kompromise të dhimbshme, por neve sigurisht vetëm pse na dhemb më tepër mendojmë që është një konspiracion ndërkombëtar, që është vetëm kundër nesh, që është bota asimetrike, që po favorizon dikë tjetër dhe mendoj që kjo qasje është e gabuar”, ka deklaruar Osmani.
Ai ka deklaruar se nuk mund të mos ketë ndryshime kushtetuese dhe se Maqedonia e Veriut nuk mund të funksionojë pa Bashkimin Evropian.