Presidentja Vjosa Osmani para Parlamentit Europian ka folur për luftën e Ukrainës, duke thënë se Kosova më së miri e kupton dhimbjen e popullit ukrainas meqë ka përjetuar të njëjtën.
Me Ukrainën, Osmani vendosi ta mbyllë edhe fjalimin e saj.
“Zgjodha të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të tashmen tonë dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë. Zgjodha të flas për vlerat e BE-së, sepse janë këto vlera që shërbejnë si busullë morale e jona dhe na udhëheqin ne dhe njerëzit tanë drejt majave më të larta të arritjeve njerëzore. Unë kam folur sot se sa shumë ndajmë me BE-në – si Kosova ashtu edhe Ukraina – sepse dy vendet tona, pavarësisht distancës, ndajnë një histori pikëllimi në tokën e përbashkët evropiane, por një të ardhme me potencial dhe mundësi të mëdha në familjen e përbashkët evropiane. Asgjë nuk e ilustron këtë më fuqishëm sesa ngjyrat e përbashkëta të flamujve tanë – e kaltërta dhe e verdha.
Dy ngjyra që tregojnë një histori. Qielli blu dhe dielli i verdhë. Së bashku, këto ngjyra përfaqësojnë shpresën për një agim të ri. Për Ukrainën dhe për Kosovën, ai agim i ri është një paqe e drejtë dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për Evropën, është forca e shtuar nga aleancat e reja dhe uniteti. E kaltra dhe e verdha, ngjyrat e Kosovës, ngjyrat e Ukrainës, ngjyrat e Evropës, ngjyrat e lirisë”, përfundoi Osmani.