Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ministrin hungarez për Çështjet e Bashkimit Evropian, Janos Boka, me të cilin kanë diskutuar për situatën aktuale politike dhe të sigurisë, forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit evropian dhe stabilitetin rajonal.
“Presidentja Osmani theksoi se Kosova është shembull pozitiv në rajon, pasi ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e transparencës dhe promovimin e qeverisjes së mirë”.
Osmani ka thënë se Kosova është e përkushtuar për integrim evropian dhe i kërkoi Bokas mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE.
Ajo shtoi se është e nevojshme që të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës.
“Sipas Presidentes Osmani, përkushtimi i Kosovës për integrimin evropian mbetet i fuqishëm, teksa po vazhdohet të punohet në drejtim të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në BE, ndaj kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat përveç se janë të pa drejta, prekin direkt interesin e qytetarëve të Kosovës, pa dallim.”
Gjithashtu Osmani ka thënë se Kosova është e përkushtuar për hetim të plotë e profesional të sulmit terrorist në Varagë të Zubin Potokut.
“Ndërkaq në raport me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, në veriun e vendit, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për një hetim të plotë dhe profesional të sulmit terrorist ndaj infrastrukturës vitale, i cili kishte për qëllim dëmin direkt në jetën e qytetarëve. Presidentja Osmani theksoi nevojën e qëndrimit unik të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të shmanget përsëritja e sulmeve të tilla terroriste nga bandat kriminale, të cilat mbështeten, trajnohen dhe financohen nga Serbia”.