Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani në PE e citon Rugovën: Shtëpia nuk mbahet pa miq

 
   

Në adresimin e saj në sesionin plenar të Parlamentit Evropian, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmendi fjalët emblematike të presidentit historik, Ibrahim Rugova “Liri, Pavarësi, Demokraci”. Sipas presidentes Osmani, këto fjalë ishin vizioni i popullit të Kosovës, i cili u bë realitet.

Osmani tha se liderët evropianë duhet të bashkohen për një vizion të përbashkët, derisa shtoi se BE është destinacioni i Kosovës.

“Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, ka theksuar ajo para eurodeputetëve në adresimin e saj.

Përgjatë adresimit të saj, Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE.

“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, tha Osmani derisa shtoi se ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës.

“Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”, është shprehur ajo.

Para eurodeputetëve, Presidentja Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën evropiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq” dhe në këtë kontekst, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni Kosovës.