Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur shqetësimin e saj ndaj ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, për largimin e regjimit të vizave për qytetarët serb të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta ilegale serbe.
“Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja shprehu shqetësimin për vendimin e djeshëm të Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe, duke theksuar se ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën si dhe atakon përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë”, njofton Presidenca e Kosovës.
Tutje bëhet e ditur se pjesë e diskutimit ka qenë pjesëmarrja e Osmanit në kuadër të Samitit të NATO-s dhe takimet me zyrtarët e lartë amerikanë, duke i cilësuar si hapa konkret drejt koordinimit të veprimeve në dobi të interesave të Kosovës dhe të partneritetit me SHBA-të.
“Duke e vlerësuar ftesën e SHBA-ve dhe prezencën e Kosovës në këto aktivitete kyçe të Samitit si një zhvillim strategjik në dobi të avancimit dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon dhe përtej, Presidentja Osmani potencoi impaktin pozitiv që do të kishte anëtarësimi i Kosovës në NATO për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme dhe afatgjate”, vazhdon njoftimi.
Presidentja Osmani dhe ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet kohëve të fundit, me ç’rast konfirmuan rëndësinë që të garantohet respektimi i parimeve demokratike dhe standardeve më të larta për të drejtat e njeriut.