Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani në takim me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.

Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe të fushës së sigurisë, interesat e përbashkëta dhe zgjerimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit.

Me këtë rast u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, teksa presidentja Osmani falënderoi kryeministrin Varadkar për mbështetjen e palëkundur në përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim ekonomik.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e Irlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Tutje, ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje drejt anëtarësimit final në Këshillin e Evropës, BE, por edhe në organizata ndërkombëtare.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mundëson mbrojtje të avancuar të të drejtave të njeriut”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Më tej, Presidentja Omani ka theksuar se është koha që edhe raportet e Kosovës me BE-në duhet të ngrihen në nivel tjetër.

“Kosova e meriton statusin e vendit kandidat. Kosova mishëron vlerat evropiane, ndaj, në këtë frymë ka pas angazhim të vazhdueshëm që legjislacioni ynë është në harmoni me ligjet e BE-së. Është momenti i duhur që ta marrim statusin e vendit kandidat”, është shprehur Presidentja Osmani.

Në raport me zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani theksoi se Kosova tashmë ka bërë hapa përmbajtësor në deeskalimin e situatës në veriun e vendit, ndaj i cilësoi masat e BE-së, joproporcionale dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin e Irlandës kundër këtyre masave dhe përsëriti thirrjen për heqjen e tyre, ngase masat aktuale në fuqi kundër Kosovës janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.

Kurse sa i përket situatës së sigurisë, Presidentja Osmani tha se mungesa e masave kundrejt Serbisë në lidhje me sulmin terrorist dhe aktin e agresionit të 25 shtatorit në Bansjkë vetëm se e inkurajon atë për të bërë sërish veprime të ngjashme, që cenojnë jo vetëm stabilitetin e Kosovës, por edhe rajonin.

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Varadkar theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në adresimin e sfidave globale dhe nxitjen e zhvillimit në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, me fokus të veçantë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.