Presidentja Vjosa Osmani gjatë takimit me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi ka theksuar zbatimin e plotë të marrëveshjeve si ai i Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Presidentja theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotni”, thuhet në njoftim.
Osmani gjithashtu ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
“Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Sipas njoftimit, gjatë takimit janë përshëndetur marrëveshja për energji dhe ajo për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Ndërkaq tutje thuhet se presidentja ka theksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm interpretativ i draftit të statutit të Asociacionit.