Në Maqedoninë e Veriut nuk do të mund të formohet Qeveria e re – pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit – pa një marrëveshje për votimin e ndryshimeve kushtetuese.
Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Bujar Osmani, kandidat për president të Maqedonisë së Veriut nga Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Osmani, i cili është edhe ministër i Punëve të Jashtme, pret që VMRO-DPMNE-ja opozitare, nëse arrin ta ketë shumicën në zgjedhjet parlamentare, të pajtohet me ndryshimet kushtetuese për të formuar Qeverinë, ndërsa kundërshtimin e deritanishëm të saj më tepër e sheh si qëndrim për të fituar pikë politike.
Osmani flet edhe për pretendimet mbi rreziqet ruse, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe këto të dhëna thotë se i ka nga qasja që gëzon në informacionet e aleancës veri-atlantike, NATO-s.
Ai thotë se kërcënimet ruse mund të kenë pasoja mbi marrëdhëniet ndëretnike, që sipas tij janë shtylla e stabilitetit dhe e sigurisë në Maqedoninë e Veriut.
Kandidati për president, Bujar Osmani flet edhe për vettingun e funksionarëve lidhur me korrupsionin, por edhe lidhjet e tyre me skenarë të jashtëm, si dhe me listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, ai nuk ka një përgjigje të saktë se pse vettingu nuk nisi nga partia që ai përfaqëson, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila ka zyrtarë në listën e zezë, por që vazhdojnë të jenë aktivë në politikë dhe institucione.