Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas nënshkrimit të grantit në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh me USAID-in.
Në një konferencë për media, e para e shtetit tha se secila nismë dhe secili sukses që në qendër ka përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe forcimin e institucioneve tona demokratike e llogaridhënëse ka gjurmët e Amerikës.
“Marrëveshja që sapo kemi nënshkruar me ShBA-të, me USAID-in konkretisht, është edhe një rikonfirmim drejt vizionit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për qytetarët tanë pa dallim. Amandamenti i marrëveshjes në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh i cili në total të marrëveshjes arrin vlerën 142.6 milionë dollarësh do të mbështesë projektet që synojnë shërbime më të mira për qytetarët tanë nga Institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes dhe rritje të mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike”, tha Osmani.
Ajo tutje tha se ShBA ka qenë dhe mbetet një partner i përkushtuar dhe i palëkundur i popullit të Kosovës.
“Në këtë mënyrë ne nuk po ndërtojmë vetëm institucione më të forta e më të qëndrueshme, por edhe një shoqëri me të drejta të barabarta. ShBA ka qenë dhe mbetet një partner i përkushtuar dhe i palëkundur i popullit të Kosovës në këtë drejtim. Krahas mbështetjes financiare, populli amerikan ka treguar partneritet të vazhdueshëm të ndërtuar mbi vlera, por mbi të gjitha një partneritet të ndërtuar në besim të ndërsjell. Besim në një Kosovë që në çdo vendim të saj në qendër të vëmendjes ka popullin e saj. Le ta vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku duke forcuar edhe më tej lidhjet tona dhe bashkëpunimin tonë duke krijuar mundësi më të mëdha për zhvillimin e Kosovës. Këto nisma të përbashkëta janë deklarimi i fuqisë së bashkëpunimit tonë dhe garanci për një të ardhme të ndritur për vendin tonë. Sa herë që punojmë bashkë me ShBA-në, qytetarët dhe shteti ynë përfiton”, shtoi presidentja Osmani.