Presidenti Rugova do të mbetet njeriu të cilin njerëzit e deshën dhe i besuan, por edhe prijësi i cili kurrë nuk e shpërdori këtë besim të popullit të tij.
Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në akademinë përkujtimore në 18-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës.
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova ishte me fat që kishte njeriun e urtë e vizionar, i cili u shndërrua shpejt në simbol të rezistencës, në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë.
“Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë, sepse e pati aftësinë intelektuale e morale për ta kultivuar e mbrojtur pa frikë fjalën e lirisë, mendimin e lirë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit e lirinë kolektive të popullit, krahas asaj të krijimit. E, duke e kërkuar atë u shndërrua në model të prijësit, i cili na mësoi se si duhet ta mëtojmë e ta mbërrijmë lirinë, atë të brendshmen, si parakusht për ta fituar lirinë e jashtme. Ai e dinte se, nëse e ke fituar lirinë e brendshme, nëse mund t’i kundërvihesh ideologjisë e mendimit të egër, do ta fitosh edhe lirinë fizike, ngase do të mund t’i kundërvihesh edhe armikut mësymës; nëse je në gjendje ta refuzosh konceptualisht dhunën e ideologjitë e rrezikshme, atëherë do t’i refuzosh edhe praktikisht ato”, ka pohuar Osmani.
Osmani ka thënë se presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës.
“Përfundimisht, presidenti Rugova do të mbetet njeriu të cilin njerëzit e deshën dhe i besuan, por edhe prijësi i cili kurrë nuk e shpërdori këtë besim të popullit të tij. Lidhjen e tij me popullin e dëshmoi edhe vargu i pafund i njerëzve të cilët në ditën e shkuarjes së tij në amshim, më 21 janar 2006, nuk iu nënshtruan acarit e të ftohtit, por pritën me orë të tëra, për ta përcjellë prijësin e tyre historik. Ky lum i pafund i njerëzve, shprehte dashurinë e pafund të një populli për atë që i priu qytetarëve tanë në një mision, në një kauzë, por mbi të gjitha, në një rrugëtim: rrugëtim drejt Kosovës së pavarur e sovrane, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Osmani.