Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot në seancën solemne për nder të 16-vjetorit të pavarësisë ndër të tjera përmendi edhe sulmin terrorist nga Serbia që ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.
Ajo tha se reagimi ndaj agresionit serb, më 24 shtator në veri të vendit ishte i duhuri dhe i tillë do të jetë çdoherë, ndërsa tha se prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë.
“Reagimi ynë ndaj agresionit serb ishte i vendosur dhe ju siguroj që i tillë do të jetë çdoherë. Le të jetë e qartë, prezenca ushtarake e policore e Serbisë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë në vitin 1999 kur qiellin e Kosovës e pushtoi fryma e lirisë. Në mëngjesin e 24 shtatorit, policët kanë dëshmuar përkushtim për të mbrojtur vendin e tyre. Kosova është dhe do të mbetët e lirë dhe sovrane”, tha Osmani.
Ajo më tej tha se aleanca me SHBA-të qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë sonë.
“Aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara qëndron si një shtyllë e shtetësisë sonë, ndërkaq rrugëtimi ynë drejt institucioneve euro-atlantike është i paalternativë. Këto partneritete, bazuar në respektin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta, kanë qenë dhe mbeten jetike për zhvillimin e shtetit tonë. Këto aleanca na kujtojnë se lufta jonë për liri e shënjuar me gjakun e të gjithë atyre që u sakrifikuan në mënyrën më sublime, dallohet edhe për mbështetjen e pakursyer e të shenjtë nga ata që ndajnë me ne angazhimin e përbashkët për demokraci, sovranitet dhe dinjitet. Kosova fitoi jo vetëm sepse kishte të drejtë, por edhe sepse veproi mençur e ndërtoi vizion dhe aleanca të bazuara në vlera”, tha ajo.