Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Brdo-Brionit.
Në margjina të këtij samiti, Presidentja Osmani është pritur nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
“Faleminderit presidentit të Maqedonisë së veriut, Stevo Pendarovski që na priti sonte në Shkup para takimit të liderëve të Procesit Brdo-Brionit”, ka njoftuar Osmani në platformën X.
Osmani ka shtuar tutje se Kosova dhe Maqedonia kanë sfida të përbashkëta përpara që duhet kapërcyer me bashkëpunim.
“Mezi pres të diskutojmë për hapat e përbashkët për të kapërcyer sfidat e përbashkëta, përpjekjet për prosperitet në rajon dhe ecjen e Kosovës para në rrugën euroatlantike”, ka deklaruar Osmani.
Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.
Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, Presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup.