Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur nga Rahoveci ndjekësit e saj në Facebook, duke i ftuar që ta vizitojnë këtë qytet dhe festivalin Hardh Fest.
Ajo shihet me kalavesh rrushi në dorë, duke treguar se ndodhet në “kryeqytetin e bujqësisë, kryeqytetin e rrushit, dhe se ndodhet aty së bashku me kryetarin e komunës dhe ministra të qeverisë për të hapur Hardh Festin, dhe se njëkohësisht ishte në një shkollë në fshatin Fortesë për t’i uruar nxënësit për ditën e parë të shkollës.
“Rahoveci i ka dhënë shumë Republikës së Kosovës. Njerëzit e vyer, njerëzit punëtorë me duar të arta e kanë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqejnë një pjesë të madhe të Republikës sonë nëpërmjet punës së tyre të palodhshme, prandaj qytetarët e kësaj anë kanë nevojë për përkrahjen tonë të vazhdueshme. Do të bashkëpunojmë bashkë edhe me ministrin e bujqësisë që të rritet kjo përkrahje”, shprehet Osmani nga vreshti i Rahovecit.
Ajo tutje tregon se gjatë festivalit Hardh Fest do të ketë një program të jashtëzakonshëm, program arti, program muzike, maratona, e shumëçka tjetër për të gjitha moshat.
“Ju uroj shumë sukses dhe shpresoj që gjatë këtyre tre ditëve do ta vizitoni Rahovecin deh Hardh Fest-in”, deklaroi presidentja Vjosa Osmani.