Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani takohet me ambasadorin e ri të Bullgarisë në Kosovë, kërkon heqjen e menjëhershme të masave të BE-së

 
   

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.

Presidentja Osmani e uroi Ambasadorin Kraevski për detyrën e tij të re dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës, veçanërisht në fuqizimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe integrimit euroatlantik të vendit tonë.

Në këtë takim, Presidentja Osmani falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e palëkundur në proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe inkurajoi vazhdimin e avokimit bullgar për fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Osmani, në takim me ambasadorin e ri të Bullgarisë shtroi nevojën për heqjen e menjëhershme të masave të padrejta të BE-së, të cilat po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

Në këtë kuadër, Presidentja Osmani vlerësoi angazhimin e Bullgarisë për sigurinë rajonale dhe globale si dhe angazhimin e homologut të saj, Presidentit bullgar Rumen Radev, që ta mbështesë vazhdimisht Kosovën në këtë drejtim.

Presidentja Osmani dhe Ambasadori Kraevski diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në ekonomi, arsim, kulturë, turizëm e fusha të tjera.