Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëhequr takimin e radhës të Këshillit Konsultativ për Komunitete, me të cilët ka bashkëbiseduar për sfidat dhe shqetësimet që kanë komunitetet.
Sipas presidentes Osmani, punësimi pa dallim përkatësie ruajtja dhe zbatimi i karakterit shumë gjuhësor të shoqërisë kosovare, që paraqet vlerat e saj unike shpirtërore, intelektuale, historike dhe kulturore, janë disa nga prioritetet dhe angazhimet e përditshme.
Në takim me KKK-në, Presidentja Osmani ka theksuar se ky mekanizëm u jep mundësinë komuniteteve që të përfshihen në nisma legjislative dhe si rezultat, ta avancojnë pozitën e tyre në Kosovë.
Më tej, presidentja Osmani ka theksuar se Zyra e Presidentes ka zhvilluar takime të vazhdueshme me institucionet tjera dhe ka kërkuar zbatimin e rekomandimeve të këtij Këshilli.
“Është angazhim i yni i përditshëm t`i sigurojmë mundësitë e barabarta për punësim në funksion të përmbushjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie, si një parakusht përmbajtësor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe realizim të potencialit të secilit”, citohet Osmani në komunikatën e Zyrës së Presidencës.
Ndërkaq për çështjen e gjuhës dhe zbatimit të drejtave gjatë shpalljes së konkurseve në gjuhët zyrtare në Republikën e Kosovës, Presidentja Osmani ka theksuar se janë prioritet dhe se së shpejti priten rezultate konkrete, posaçërisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Policinë e Kosovës.
Sipas Presidentes, vetëm në këtë mënyrë, komunitetet joshumicë mund ta realizojnë potencialin e tyre.
Në takimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete janë shqyrtuar, ndër të tjera edhe disa rekomandime dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me komunitetet.