Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, me të cilin folën për situatën e sigurisë në Kosovë gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Granada të Spanjës.
Gjatë këtij takimi, Osmani theksoi domosdoshmërinë për t’i kërkuar llogari Serbisë për agresionin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
“Theksova domosdoshmërinë për t’i kërkuar llogari Serbisë për aktin e saj terrorist dhe aktin e agresionit kundër Kosovës, i cili paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë në të gjithë rajonin”, tha Osmani.
Kujtojmë se e para e shtetit përveç Ruttes, gjatë ditës së djeshme i ka kërkuar edhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit britanik, Rishi Sunak, e liderëve të tjerë evropianë që Serbia të mbahet përgjegjëse për agresionin ndaj Kosovës.
Osmani ka refuzuar që të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përpara se të vendosen sanksione ndaj shtetit serb.