Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Osmani thotë se së shpejti do të dihet data e seancës konstituive të Kuvendit

 
   

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se shumë shpejt do të dihet data për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, por ajo theksoi se gjithçka do të bëhet sipas afateve kushtetuese.

Osmani para mediave tha se sot zyrtarisht kanë pranuar nga KQZ, njoftimin e rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit të certifikuara.

“Pak më parë ka ardhur edhe shkresa zyrtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në presidencën e Republikës së Kosovës, ku na njoftojnë me rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara, mënyrën se si ndahen ato ulëse në Kuvendin e Kosovës. Siç e dini ka një afat prej 30 ditësh, është një afat kushtetues, ligjor i cili parashihet për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Për momentin ekipi ime ligjore është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitje të kësaj seance në mënyrë që kur të thirret seanca të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues, për momentin nuk mund t’iu jap një datë se dua të jem e saktë, mirëpo shumë shpejt do ta kemi atë”, tha Osmani.

KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti se kur do të nis konsultimet për qeverinë e re por nuk u përgjigj.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në afat prej 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, duhet ta thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit.

Në bazë të rezultatit të certifikuar të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind.