Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Pa u farue djem e çika, jo nuk ndahet Mitrovica”, protestuesit shqiptarë këndojnë tek Ura e Ibrit

Disa qytetarë kanë filluar të mblidhen tek Ura e Ibrit, pavarësisht thirrjeve të institucioneve që të mos marrin pjesë në një marsh i cili është thirrur në rrjetet sociale.

Në pamjet e publikuara nga RTV Dukagjini dëgjohen protestuesit teksa këndojnë këngën patriotike “Pa u farue djem e çika, jo nuk ndahet Mitrovica”.

Tek Ura e Ibrit prezentë janë edhe Policia e Kosovës.

Kujtojmë se ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, sot ka apeluar qytetarët të mos t’u përgjigjen këtyre thirrjeve, të cilat sipas tij po përhapen nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjete sociale.

“Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës. Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, shkroi ai.

Të njëjtin apel e ka bërë edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate për media pak më herët.