Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Pacientët kërkojnë shërbime më të lira në QKUK

PËRGATITI: SARA SHEHU

Pacientë dhe familjarë të tyre po kërkojnë që çmimet e shërbimeve mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të jenë më të lira. Mirëpo nga SHSKUK-ja i arsyetojnë pagesat.

Shërbimet mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas qytetarëve janë të kushtueshme.

Duke pasur parasysh që QKUK-ja është institucion publik, Pacientët kërkojnë që çmimet për mjekim dhe hospitalizime të jenë më të lira.

“Bashkëshortja para disa dite ka pësuar infrakt. Unë jom pensioner por ajo nuk është për atë po duhet të paguaj të gjitha si qëndrimin në spital si krejt. Këto pagesa duhet me u hek , se s’ka kurgja në këtë shëndetësi. Po duhet shërbime te shumte me pagu. E masi po i kryjmë këto pagesa ato pare nuk po dihet as ku po shkojnë. Këtu ka veç maltretim, gjëra të papërballueshme”.

“E kam grun e hospitalizume këtu në klinikën e Kardiologjisë. Duhet me ndryshu kjo rregull duke marr parasysh gjendjen tonë financiarë në Kosovë. Është shumë i shtrenjtë çmimi si për qëndrim me pagu po ashtu edhe çmimi i anestezionit ai duhet të jetë fal”.

Edhe mërgimtarët vlerësojnë se shërbimet në sektorin publik janë të shtrenjta.

“Shumë çmime të larta për qytetarët që jetojnë në Kosovë. Çdo herë duhet me ble anestezionin e shumëçka tjetër me u pagu”.

Megjithatë, drejtoria e SHSKUK-së, i arsyeton çmimet për shërbimet që ofrohen.

“Në rast se pacienti qëndron më pak se 10 ditë, i kthehen nga 4 euro për çdo natë qëndrimi. Nëse qëndron më gjatë nuk paguan shtesë. Kategoritë e liruara janë, fëmijët, studentët, pensionistët, invalidët e luftës veterantët, pacientët me diagnoza që janë përcaktuar me Udhëzim Administrativ në fuqi”.

Klinikat më të mbingarkuara në gjashtë muajt e fundit janë ajo e Emergjencës dhe Klinika e Pediatrisë.