Të mërkurën në njërin prej reparteve të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, një pacient u pa i shtrirë në dysheme i rrethuar nga punëtorët shëndetësorë, ndërsa asnjëri nuk i ofronte ndihmën e nevojshme.
Në lidhje me këtë rast, Telegrafi ka kërkuar sqarime nga drejtoria e këtij spitali.
Në një përgjigje nga reparti i Urologjisë thuhet se infermieri i ndërrimit është marrë me rastin në fjalë.
Sipas tyre infermieri Haki Kadriu ka dalë në korridor dhe e ka marrë pacientin për ta ulur në një karrige të korridorit, derisa të lirohej urologu, i cili ishte në sallë të operacionit.
Më pas, thuhet se kryeinfermieri e ka marrë pacientin dhe e ka shtrirë në dhomën ku i realizojnë vizitat.
“Po sa është liruar urologu, e ka kontrolluar pacientin në fjalë i cili ka qenë i kateterizuar. Kërkesa e pacientit ka qenë t’i largohet kateteri urinar dhe pas kontrollës i është realizuar, me insistimin e pacientit”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së Spitalit, për Telegrafin.
Ndërsa, drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Luljeta Zhubi ka thënë se infermierët që shihen në videon e publkuar në rrjetet sociale janë praktikantë.
Zhubi tha se ata duhet të japin përgjigje tek mbikëqyrësit e tyre.
“Sa i përket infermierëve që shihen në video janë praktikante të infermierisë të cilat po ashtu duhet të japin një përgjigje mbikëqyrëses së tyre, respektivisht instruktorit të tyre që i udhëheq në praktikë”, ka thënë Zhubi.