Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, ka bërë me dije se sot në Varshavë të Polonisë se bashku me deputetët e 16 vendeve të Evropës do të flasin për luftën në Ukrainë.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se deputetët e këtyre vendeve janë ftuar të flasin për opinionet, qëndrimet dhe vendimet e vendeve që përfaqësojnë për luftën në Ukrainë.
Ajo ka bërë me dije se në adresimin e saj do ta shfrytëzon mundësinë t’i njoftojë për situatën në Kosovë dhe për masat e padrejta që ka ndërmarr BE ndaj Kosovës.
“Sot, në Varshavë me deputetë nga 16 vende të Evropës do të flasim për luftën në Ukrainë, pikëpamjet e publikut evropian, ndikimin e luftës në formësimin e opinioneve si dhe çfarë na bashkon dhe çfarë na ndanë kur bëhet fjalë për Ukrainën. Këtu jemi ftuar që të flasim për opinionet, qëndrimet dhe vendimet e vendeve tona për luftën në Ukrainë si dhe çfarë ndikimi ka lufta në vendet tona. Normal, unë po e shfrytëzoj këtë mundësi t’i njoftojë për situatën në Kosovë, për qasjen e Serbisë dhe për masat e padrejta që ka ndërmarr BE në raport me Kosovën e cila po përballet me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë autokratike dhe proruse e cila po kalon pa u ndëshkuar”, ka shkruar Pacolli.