Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Padia për lirimin e trupit të Navalnyt nuk do të dëgjohet deri më 4 mars

Një gjykate ruse do t’i duhen gati dy javë për të dëgjuar padinë e ngritur nga nëna e liderit të opozitës ruse, Alexei Navalny, e cila kundërshton refuzimin e zyrtarëve për të lëshuar trupin e djalit të saj.

Lyudmila Navalnaya është përpjekur të marrë trupin e djalit të saj që nga e shtuna, pas vdekjes së tij në një koloni penale në veriun e largët të Rusisë një ditë më parë.

Një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura është caktuar për më 4 mars, ka bërë të ditur media shtetërore ruse të mërkurën, duke cituar zyrtarë të gjykatës.

Lyudmila Navalnaya ka apeluar të martën te presidenti rus, Vladimir Putin, që t’ia lëshojë trupin e djalit të saj, në mënyrë që ai të “varroset në mënyrë humane”, shkruan The Guardian.

“Për të pestën ditë nuk mund ta shohë atë, ata nuk po ma japin trupin e tij dhe madje as nuk më tregojnë se ku është”, ka thënë ajo, teksa po fliste pranë kolonisë ku i biri i saj vdiq.

Më shumë se pesë ditë nga vdekja e tij, nëna e tij dhe avokati e kanë pasur të pamundur që të marrin trupin e Navalnyt nga hetuesit, të cilët kanë deklaruar se nuk mund ta lirojnë për shkak se duhet të kryejnë “teste”.

Mbështetësit e Navalnyt besojnë se ai është vrarë.

Autoritetet e burgut të Rusisë raportuan të premten se Navalny nuk u ndje mirë pas një shëtitje, duke mbetur pa ndjenja në burgun në qytetin Kharp. Sipas autoriteteve, një ambulancë mbërriti në vendngjarje, por nuk arriti ta shpëtonte.

Vdekja e Navalny-t ka shkaktuar reagim të gjerë në perëndim, me shumë liderë që janë zotuar të vendosin sanksione të reja ndaj Kremlinit.

Mbretëria e Bashkuar vendosi të mërkurën sanksione ndaj gjashtë individëve në krye të kolonisë penale të Arktikut ku Navalny vdiq.