Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pahor, gati për të marr “frenat” e dialogut – paralajmëron reagime të ashpra nga Sebia: Do të duhet të mësohemi..

 
   

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka shpallur kandidaturën e tij që të jetë emisar i Bashkimit Evropian (BE), për dialogun Kosovë-Serbi.

Gjatë një interviste RTV Slovenia, ai ka thënë se është i gatshëm për këtë detyrë.Ka deklaruar se ka zgjidhje për problemin – dhe se duhet bërë diçka që dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja të aktivizohet, pasi shton se ka ngecur.

 “U jam mirënjohës të gjithëve për mbështetjen e tyre, madje edhe atyre që s’kanë reaguar e që do të mund të kishin një koment kritik. Kështu që kam ndjenjën se e gëzoj këtë mbështetje në Slloveni dhe kjo do të thotë shumë për mua. Po përgatitem me shumë kujdes dhe përgjegjësi, ndoshta këtë javë kandidatura ime do të udhëtojë nga zyra ime dhe Ministria e Punëve të Jashtme për në Bruksel, në të cilën do të shpjegoj arsyet pse ndihem i përshtatshëm për ta zgjidhur këtë çështje. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Sllovenia, ashtu si unë, më duket mua, ka statusin e një ndërmjetësi të ndershëm, përvojë të pasur në këtë rajon dhe, natyrisht, gjithashtu një sërë idesh se si të rifreskohet ose ringjallet ky dialog i ngecur. . Në përgjithësi, situata e sigurisë dhe politike në rajon është shumë shqetësuese”, ka thënë ai.

Sllovenia është një nga shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën – si e tillë shpesh ka marrë kritika nga Beogradi zyrtar, madje presidenti serb Aleksandër Vuçiq i kishte quajtur sllovenët “të neveritshëm”, më pas kishte kërkuar falje duke thënë se fjalën e kishte për politikanët sllovenë.

Vuçiq sulmoi Slloveninë, një anëtare jo e përhershme të Këshillit të Sigurimit, duke e akuzuar atë se ishte pjesë e një “organizimi” me SHBA-në dhe Zvicrën, për të lejuar delegacionin e Kosovës të sjellë të mbijetuarit e dyshuar të përdhunimit nga forcat serbe, gjatë luftës së viteve 1998-1999 në seancë, një veprim që ngjalli zemërim nga delegacioni serb.

Por, Pahor thotë se ka frikë që ky është vetëm fillimi i deklarimeve të tilla nga Serbia.

“Kam frikë se ky është vetëm fillimi dhe se po hyjmë në një periudhë kur, për fat të keq, do të duhet të mësohemi shumë shpesh me deklarata të tilla të vrazhda dhe të papërshtatshme”, ka thënë ai.

Nuk është hera e parë që Serbia kritikon Slloveninë për faktin se e ka pranuar pavarësinë e Kosovës.