Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, përsëriti sot se dëshiron të kandidojë për postin e të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Në konferencën ndërkombëtare për Ballkanin Perëndimor në BE në Lubjanë, Pahor theksoi se ka më shumë besim në procesin e zgjerimit në BE sesa në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Pahor paralajmëroi se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur, duke theksuar se pa vazhdimin e procesit nuk do të sigurohet një e ardhme e sigurt për të dyja vendet.
Më 10 prill, Pahor kishte deklaruar se ishte i interesuar për pozitën e Lajçak, mandati i të cilit skadon në gusht.
Ai po ashtu theksoi se optimizmi për zgjerimin e BE-së është në rënie në rajon.
“Në konferencë u vërejtën dallime të mëdha në pikëpamje për disa çështje thelbësore që lidhen me zonën e Ballkanit Perëndimor. Unë u befasova veçanërisht nga ndryshimi që sot ka më shumë besim në procesin e zgjerimit në BE sesa në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha themeluesi i Institutit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në konferencën për shtyp.
Ai theksoi se në 20 vitet e fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor ka humbur besimi në procesin e zgjerimit sepse, beson ai, shumë nuk besojnë se BE-ja dhe vendet e rajonit do të jenë gati për zgjerim deri në vitin 2030.
“Këto pengesa do të duhet të kapërcehen”, theksoi Pahor, transmeton RTV Sllovenia.
Konferenca u organizua nga Instituti i Miqve të Ballkanit Perëndimor, ku 28 folës nga 19 vende, përfshirë shumë diplomatë të lartë, ish-presidentë dhe kryeministra, diskutuan për zgjerimin e BE-së dhe sfidat në rajon.