Kandidati i Frontit për Ndryshim, Arbër Pajaziti, i cili shpalli fitoren në Bujanoc nga zgjedhjet lokale, ka theksuar se si kryetar i ardhshëm do të kërkojë të takojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, si takimin e parë pas formimit të qeverisë së re.
“Qytetarët shqiptarë në Luginë i kanë sytë e kthyer kah Kosova dhe Shqipëria presin shumë më tepër nuk është se nuk është dhënë asgjë ka disa lëvizje sidomos viteve të fundit edhe nga Qeveria ë Kosovës edhe e Shqipërisë. Unë si kryetar i ardhshëm porsa të bëhet konsultimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisjes së re, takimin e parë do ta kërkoj ta bëj me kryeministrin Kurti”, ka thënë Pajaziti.
Pajaziti ka thënë se në takimin me Kurtin do të diskutohet për bashkëpunim nga të gjitha sferat pasi që sipas tij kryeministri i Kosovës është keqinformuar për të.
Ai ka shtuar se është në duart e Qeverisë së Kosovës për të vendosur nëse do të pranojë apo jo takimin e propozuar.
“Do të kërkoj bashkëpunim nga të gjitha sferat, ndoshta Kurti ka qenë i keqinformuar apo jo i informuar mirë për mua personalisht, për subjektin të cilin e udhëheqim, për mënyrën sesi funksionojmë ne këtu, dhe do të shohim modalitetin e bashkëpunimit, ne jemi të hapur si me Qeverinë e Kosovës ashtu edhe me të Shqipërisë, ne nuk anojmë nga asnjë parti politike si në Kosovë apo Shqipëri. I kemi partitë tona këtu kemi programet tona andaj bashkëpunimi institucional duhet të ekzistoj mes të gjitha qeverive pa marrë parasysh kush e udhëheqë atë. Mbetet në duart e Qeverisë së Kosovës a do ta pranojë apo jo [takimin]”, ka deklaruar Pajaziti.