Forumi Strategjik i Bledit në Slloveni, që u mbajt javën e kaluar, po vazhdon të bëjë bujë në rrjetet sociale. Në këtë Forum, ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
E analisti dhe profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, publikoi pikërisht një fotografi të Kurtit, ku shihet i rrethuar nga liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, shihet i vetmuar i ulur në vendin e dedikuar për të, përcjell Bota sot.
“Në Bled të Sllovenisë, të hënën e shkuar!”, ka shkruar Bytyçi, sipër fotos së publikuar në llogarinë e tij në Facebook.
Kryeministri Kurti, në këtë Forum është përplasur me homologen e tij nga Beogradi, Ana Bërnabiq, e cila tha se Kosova është pjesë e Serbisë.
Kurti ka thënë se Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, për dallim nga Serbia, e cila as nuk është distancuar nga Millosheviqi dhe as nga Putini.
Gjatë kësaj deklarate të Kurtit kanë duartrokitur të pranishmit, teksa ka thënë se “nuk është e lehtë për ne. Dua t’i normalizoj marrëdhëniet dhe do ta bëja menjëherë këtë, nëse fqinjët e mi do ishin çekë e jo serbë”.
“Mbështetjen ndaj BE-së ne në Kosovë e kemi 94 për qind. Ne kemi vënë sanksione kundër Federatës Ruse, ndërsa Serbia jo, as nuk e mendon. Po ashtu nuk e distancuan vetën e tyre as nga Millosheviqi dhe as nga Putini. Prandaj, nuk është e thjeshtë për ne, unë dua të normalizoj marrëdhëniet dhe kur e bëjë këtë sikur të ishte Republika Çeke. Por normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë më i vështirë. Mund të ndodh sepse duhet të zbatojmë traktatin bazë që presidenti i Serbisë dhe unë ishim dakord në Bruksel. Por normalizimi nga ana psikologjike do të thotë mungesë të konfuzionit midis realitetit dhe fantazisë. Ky është një regjistër tjetër që unë nuk mund të kontribuojë fatkeqësisht”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, akuzoi Kurtin se nuk po zbaton marrëveshjen e vitit 2013 për themelimin e Asociacionit.
“Normalizimi që është në interes si të Beogradit, edhe Prishtinës, dhe si të serbëve dhe shqiptarëve po ashtu është në interes të të gjithë rajonit, është në krye të prioriteteve tona. Normalizimi fillon me marrëveshjen e Brukselit e nënshkruar në prill të vitit 2013”, ka thënë ajo./Botasot