Shqipe Pantina nga Lidhja Demokratike të Kosovës ka thënë se kryeministri Albin Kurti është politikan i paparashikueshëm.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ajo ka thënë se Kurti bën dy veprime racionale dhe pastaj bën një tjetër veprim i cili sipas saj, është krejtësisht irracional i cili i hedh poshtë edhe këto dy të parat.
“Ajo çka mendoj është më e dëmshmja për një shtet, për një shoqëri, është kur vendimmarrësit, politikanët janë të paparashikueshëm, pra ti nuk i di cilat janë veprimet dhe qëndrimet e tyre. Secili subjekt politik kur garon për ta marrë pushtetin, ai e ka të qartë programin e tij se çfarë dëshiron të arrijë. Kjo është problemi që e karakterizon Kurtin se sot askush nuk e ka të qartë se cili do të jetë veprimi i ardhshëm”, ka thënë Pantina.
Tutje, ajo ka thënë se nëse analizohen qëndrimet e Kurtit derisa ishte në opozitë, shumë nga ato qëndrime dhe veprime kanë ndryshuar rrënjësisht që sipas saj, do të linte të kuptohet se Kurti ka ndryshuar dhe ka filluar të sillet si një politikan i moderuar apo si një politikan racional.
“Në fakt ai pas dy veprimeve që të lënë përshtypjen se janë racionale, merr një veprim krejtësisht irracional i cili pastaj i hedh poshtë edhe ato veprimet e mëhershme të cilat të kanë bërë për të besuar se tashmë kemi të bëjmë me një burrështetas i cili është i gatshëm të marrë përgjegjësi për karrigen të cilën e ka okupuar”, ka shtuar ajo.