Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Para të pista po shpërlahen në Kosovë”, juristi nga Belgjika mbështet vendimin për dinarin – përmend “bosët e Serbisë”

 
   

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur sërish.

Kjo pasi në Kosovë më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës, euro është valuta e vetme për pagesat, që nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Një vendim të tillë qeveria serbe e ka cilësuar si të papranueshëm, ku edhe kishte nga reagimet më të ndryshme, edhe nga ndërkombëtarët.

Madje, mbrëmë u mbajt një seancë e jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Së pari, ai përmendi faktin se dinar që nga paslufta është përdorë në komunat me shumicë serbe, jo vetëm në pjesën veriore të vendit.

Sipas tij, dinari është përdorur në mënyrë ilegale dhe antikushtetuese.

“Që nga paslufta e këndej, jo vetëm në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës, por edhe në komunat tjera me shumicë serbe, si monedhë për ekzekutimin e pagesave, në mënyrë ilegale dhe antikushtetuese, është përdorur dinari i Serbisë. Deri tani asnjë Qeveri suksesive nuk pati kurajon ta zgjidh këtë problem që Kosovës i ka sjellë dëme të konsiderueshme financiare.

Në këtë kontekst, ditë më parë Banka Qendrore e Kosovës (BKQ) miratoi një Rregullore, me të cilën nga 1 Shkurti 2024 ndalon përdorimin e dinarit të Serbisë, duke e nxjerrë atë nga qarkullimi financiar. Menjëherë u paraqitën reagimet e para dhe të ashpra nga ambasadorët e QUINT-it, BE-së, Komisionit Evropian, Serbisë por edhe të opozitës. Emërues i përbashkët i këtyre kritikave ishte se, ata nuk e kontestojnë ligjshmërinë e Rregullores, por kërkojnë një fazë tranzitore për aplikimin e saj. Mirëpo edhe pse BQK-ja nxjerr nga përdorimi dinarin serb, rregullorja në fjalë edhe më tutje mundëson që serbet e Kosovës t’i pranojnë ndihmat, pagat dhe pensionet edhe në dinarë në llogaritë e tyre, mirëpo përmes bankave apo institucioneve financiare të licencuara nga BKQ-ja, të cilat konverton në euro”, deklaroi juristi.

 Image
 Skënder Musliu. 
 

Krahas kësja, Musliu ky vendim për ndalimin e dinarit, vjen si rrjedhojë e nevojës për transparncë të parave që vijnë nga Serbia.

Ai tha se me paratë e dërguara nga Serbia janë financuar strukturat kriminale, madje gjysma e tyre shpërlahen në Kosovë dhe iu kthehen bosëve në shtetin serb.

“E gjithë kjo bëhet për të pasur një transparencë në transaksionet financiare që vijnë nga Serbia, sepse supozohet që çdo vit në Kosovë në mënyrë ilegale përmes rrugëve alternative dhe institucioneve financiare që nuk kontrollohen nga BQK-ja, hyjnë qindra miliona euro në dinarë. Me këto para janë paguar pensionet, ndihmat dhe pagat e serbeve, janë financuar strukturat kriminale, janë blerë votat, kurse gjysma e kësaj shume janë para të pista që shpërlahen në Kosovë dhe prap ilegalisht iu kthehen bosëve politik në Serbi.

Në gjykimin tim, BQK-ja është dashur të parasheh një dispozitë kalimtare duke dhënë shpjegimet e nevojshme, me qëllim që të largohen të gjitha paqartësitë dhe dilemat për aplikimin e rregullores në fjalë”, theksoi ai.

Më tej, juristi nga Belgjika tha se qasja kritikuese e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës, po e trimëron Vuçiqin.

Ai kërkoi që ndërkombëtarët t’i përqendrojnë kritikat e tyre ndaj Serbisë dhe jo shtetit tonë.

“Mirëpo, kritikat e faktorit ndërkombëtar, sidomos ato të QUINT-it, të cilat e kanë njohur dhe ndihmuar pavarësinë e Kosovës, fatkeqësisht po e stimulojnë dhe trimërojnë Vuçiqin që ai të vazhdojë me politikat destruktive dhe destabilizuese ndaj Kosovës dhe rajonit. Sikur ndërkombëtarët të kishin qenë kritik ndaj Serbisë, siç janë ndaj Kosovës, sigurisht se situata e sigurisë do të ishte më në nivel dhe serbët do të ishin më lojal ndaj shtetit të Kosovës.

Nuk duhet të politizohet Rregullorja e BQK-së, sepse ajo mund të zgjidhet me një marrëveshje mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Popullore të Serbisë, që Serbia po e refuzon, me arsyen se në këtë mënyrë do të pranohej pavarësia e Kosovës, dhe pikërisht këtu duhet faktori ndërkombëtar ta përqendrojë kritikën ndaj Serbisë për arritjen e një marrëveshje të tillë, e jo ta kritikojë Kosovën, sepse ndalimi i përdorimit të dinarit serb ka për qëllim transparencën e parave të pakontrolluara që hyjnë në Kosovë nga Serbia si dhe rregullimin e sistemit funksional financiar të Kosovës”, nënvizoi Musliu.

Ndër të tjera, juristi u tregua i ashpër edhe me opozitën dhe reagimet e saj kundër qeverisë Kurti, derisa ia kujtoi disa marrëveshje të dëmshme që ata kishin bërë në të kaluarën

Opozita kritikon kryeministrin Kurti se ai nuk është bashkërenditur me faktorin ndërkombëtar. Atëherë shtrohet pyetja se, kjo opozitë derisa ishte për dy dekada në pushtet e që u koordinuan me ndërkombëtarët madje duke iu nënshtruar, çfarë dobie i sollën Kosovës, përpos që i falën mijëra hektarë tokë Maqedonisë dhe Malit të Zi, « Zajednicën », Gjykatën Speciale, degraduan dialogun…. Prandaj BQK-ja si institucion i pavarur ka marrë vendim komfor Kushtetutës, kurse kryeministri Kurti bashkëpunon dhe konsultohet me ndërkombëtarë, mirëpo nuk nënshtrohet kur është fjala për zbatimin e ligjit dhe vendosjen e shtetit të së drejtës. Në këtë kuptim janë edhe veprimet e fundit të Qeverisë Kurti, sikurse njohja reciproke e dokumenteve të udhëtimit me Serbinë, sigurimi i veturave me targa legale të Kosovës, mbyllja e komunave dhe institucioneve bankare ilegale të Serbisë, vendosja e flamurit të Kosovës nëpër institucionet shtetërore të Kosovës në pjesën Veriore etj. me çka kryeministri Kurti gradualisht por në mënyrë të sigurtë po e vendosë sovranitetin dhe po ia kthen dinjitetin shtetit, duke ia ngushtuar hapësirën veprimeve ilegale dhe të kundërligjshme serbëve, që kjo opozitë e ka përdhosur për dy dekada, e që sot po hesht”, përmbylli Skënder Musliu për “Bota sot”.