Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Milan Radoiçiq po mban takime me shërbimin sekret serb e se po strehon anëtarë të organizatave terroriste për të planifikuar një sulm të riu në Kosovë.
“Pas sulmit terrorist, Radoiçiq u lirua ga gjykata serbe në kohë rekorde, ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiq po mban takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s. ambientet e firmës në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të “Mbrojtjes Civile” që instruktor e kanë Uglesha Jaridiq”, ka thënë i pari i qeverisë.
E për këto paralajmërime të kryeministrit Kurti ka foluar eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.
Së pari, tregoi se nga i mori këto informacione kreu i qeverisë, derisa tha se fajtor për rrezikun e rieskalimit të situatës vazhdon të jetë Radoiçiqi, i cili ende është në liri pas aktit terrorist në Banjskë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës e kemi parë se ka shfletuar informacione të cilat janë përpunuar dhe punuar nga Agjencia e Kosovë për Inteligjencë, si dhe struktura të ndryshme të sigurisë që punojnë në Kosovë, po ashtu edhe nga vetë shërbimet inteligjente të ushtrisë së NATO-s apo ushtrive të shteteve të NATO-s që janë prezente në Kosovë. Informacione të cilat tregojnë apo iu referohen dyshimeve të bazuara se ekziston rreziku i përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Kosovë, dhe krejt kjo bëhet pasi që i dyshuari kryesor për oraganizimin e agresionit apo sulmeve terroriste të 24 shtatorit, Radoiçiq kishte mbetur i lirë, ku deri tani autoritetet e sigurisë së Kosovës nuk kanë arritur ta arrestojnë apo ta nxjerrin para drejtësisë.
Kështu, duke qenë i lirë i njëjti është duke organizuar grupe apo anëtarësuar të rinj të moshës së rritur për të marrë pjesë në aktivitete të dhunshme e sulme të ndryshme në territorin e Republikës së Kosovës”, deklaroi eksperti i sigurisë.
Po ashtu, ai hamendësoi se Radoiçiqi dhe personat që po i trajnojnë kanë armatim në disa baza të fshehura në territorin e Kosovës.
Bedri Elezi.
“Sipas informacioneve, që ne kemi dhe në fakt kemi treguar edhe në te kaluarën, Radoiçiq në dy baza të ndryshme brenda territorit të Serbisë, diku afër 20 kilomtera larg kufirit me Kosovën janë duke trajnuar mbi 350 persona të rritur të cilët presin urdhrin nga autoritet e Serbisë dhe shërbimet sekrete ruse për t’u future në Kosovë dhe më pas për të organizuar aktivitete të dhunshme.
Sipas këtyre informacioneve, Radoiçiq dhe këta persona të cilët janë trajnuar dyshohet se mund të kenë brenda territorit të Kosovës armatime të cilat mund të jenë vendosur më parë dhe të njëjtat mund të shfrytëzohen pasi këto grupe mund të futen në tërritorin e Kosovës”, theksoi ai.
Më tej, Elezi paralajmëroi se grupet kriminale serbe mund të hyjnë në Kosovë përmes rrugëve ilegale.
“Siç kemi parë, KFOR-i ka marrë gjitha masat bashkë me ushtritë tjera që veprojnë në kuadër të KFOR-it për të parandaluar mund të themi nga kufiri verior i Kosovës, por në fakt dyshimet janë se ekziston rreziku që këta persona të cilët janë rekrutuar dhe përgatitur ushtarakisht të futen më rrugë ilegale në territorin e Kosovë, ku të njëjtit të bashkohen më pas në veri duke përdorur armatim që mund t’i kenë në baza të ndryshme për të organizuar aktivitete të dhunshme, përkatësisht konflikt të armatosur në veriun e Mitrovicë, e ndoshta për t’u përshkallëzuar edhe në komunat tjera”, shpjegoi eksperti i sigurisë.
Ndër të tjera, tha se paralajmërimet e Kurtit janë serioze dhe se Kosova është e ekspozuar para një situate të rëndë të sigurisë.
“Paralajmërimet që kryeministri Kurti i bëri nga informacionet që i ka siguruar, siç thash nga shërbimet sekrete, siç janë agjencia e inteligjencës dhe NATO.
Mund të themi, se këto paralajmërime janë serioze, po ashtu mund të them se Kosova është e ekspozuar para një situate të rëndë të sigurisë e cila mund të përshkallëzohet në momentin që Serbia, shërbimet sekrete serbe të mbeshtetura nga Rusia të japin leje apo të kërkojnë nga këto grupe terroriste për t’u future në territorin e Kosovës dhe për të ushtruar aktivitete të dhunshme”, përfundoi Bedri Elezi për “Bota sot”.