Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Paralajmërimi: Ballkani Perëndimor cak i Wagnerit, ja alarmi për Kosovën

Duke marr parasysh faktin se Serbia, ka qenë vendi prej nga njerëzit i janë bashkuar Wagnerit dhe ushtrisë ruse në luftën në Ukrainë, Anna Matveeva, eksperte në institutin për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, RUSI, me seli në Londër, ka paralajmëruar se grupi rus, Wagner, i cili nisi, por më pas e ndaloi rebelimin kundër ushtrisë ruse, mund të kërkojë terrene rekrutimi jashtë Rusisë ose Bjellorusisë, ku Ballkani Perëndimor është një prej opsioneve.

“Mendoj se është shumë e mundur që ai ta vendosë sërish theksin te rekrutimi jashtë Rusisë, e kjo do të thotë edhe në Ballkanin Perëndimor. Ky është një nga opsionet që duhet marrë në konsideratë, veçanërisht nëse e dimë se Wagner ka rekrutuar në Serbi që nga viti 2014. Ne e dimë se luftëtarët serbë të Wagnerit kanë qenë në Siri në atë kohë”, ka thënë Matveeva.

E këtë po e sheh si rrezik edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

 Image Drizan Shala 

“Wagner dhe inskenimi për rrëzim të pushtetit të Putinit ishte një veprim interesant në formatin e paraqitjes por edhe të ri-pozicionimit sepse përmes këtij veprimi mund të themi që kemi këtë situatë: Nga qyteti i Rostov-on-Don në drejtim të Moskës, ky rajon kishte një qëndrim në mbështetje të presidentit rus, dhe prandaj ndërhyrja e Wagnerit e dëshmoi atë për të cilën ka pasur mëdyshje edhe FSB, se a do të luftojnë qytetarët rusë në mbrojtje të vendit të tyre. Në anën tjetër grupacioni Wagner mund të thuhet që nuk do të ekzistojë më në formatin dhe emrin Wagner, për arsye që ri-fromatizimi i këtij formacioni do të ndodhë në Bjellorusi për t’i ikur veprimeve nga radari ndërkombëtar për sanksione të vazhdueshme, prandaj ushtria ruse tani me një pjesë prej 15000 persona nga 25000 që kishte në Ukrainë të Wagnerit janë inkuperuar në strukturën e saj ushtarake”, shprehet Shala, sipas të cilit, Wagner tashmë është aktiv në Serbi.

“Mund të thuhet lirshëm që Wagner në Serbi është aktiv përmes një kompanie e cila ofron trajnime specifike për pjesëtarët e formacioneve ushtarake e policore të mbështetur nga FSB dhe GRU në territorin e Serbisë. Pra mund të thuhet që në të ardhmen sipas gjitha këtyre veprimeve, territori serb do të përdoret për formacione të tilla që për qëllim kanë forcimin e tyre por edhe shtrirjen në gjitha drejtime në interes qoftë të politikes ruse qofte të politike serbe”, thekson Shala për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se Serbia mund të përdorë Wagnerin për të realizuar interesat e tyre në Ballkan.

“Duhet vënë në pah që brutaliteti i këtij formacioni dëshmon që janë pikërisht këto struktura, që despotët do i përdorin për të shtyrë dhe eliminuar pengesat në avancimin e interesave të tyre, duke vepruar jashtë çdo normative ndërkombëtare dhe kombëtare të atij shteti”, deklaron Shala.

“Siguria e Kosovës duhet tani kuptuar si pjesë e një platforme më të gjerë strategjike të udhëhequr nga BE, Amerika edhe Britania, për të avancuar një ri-defnimi të pozicioneve të mos lënies anash të ri gabimit siç ishte pas luftës së dytë botërore, ku ju është mundësuar një veprim nga BRSS në rajonin e Ballkanit Perëndimor për të themeluar Jugosllavinë”, shton eksperti Shala.

Për fund, ai thotë se Kosova tanimë është duke u përballur me elemente të grupit Wagner në veri të vendit.

“Kosova është përballur më elemente të simpatizantëve të Wagnerit në veri të vendit, duke parë brutalitetin në drejtim të organeve të rendit vendor dhe atyre ndërkombëtare për t’i penguar shtrirjen e autoritetit dhe legjitimitetit shtetëror të Kosovës. Prandaj në duhet të jemi vigjilent duke koordinuar dhe subkordinuar e krijuar aleanca të reja në formatin rajonal, por duke kultivuar aleancën e demokracisë botërore që udhëheqin amerikanët”, përfundon për “Bota sot” eksperti i sigurisë, Drizan Shala.