Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Paralajmërimi i frikshëm i Alfred Cakos/ A është “e gatshme” Serbia të hyjë në luftë me NATO-n, ja çka thotë Sheholli

 
   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar sot me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin.

Pas takimit palët janë prononcuar për media, ku siç duket tema e diskutimit kanë qenë zgjedhjet e reja.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë të hënën se është i interesuar që të diskutojë me subjektet politike për datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.

“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në anën tjetër, ka thënë zgjedhjet e reja janë të domosdoshme.

“Ne nuk jemi në gjendje të mirë, Kosova është në agoni. Kemi një ekonomi të stagnuar, rritje enorme të çmimeve, me paga dhe pensione të vogla, të cilat nuk ju mjaftojnë familjeve kosovare të lidhin muajin me muaj”, ka thënë Krasniqi, duke kritikuar punën e Qeverisë aktuale edhe në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe politikës së jashtme.

Zgjedhje të reja, por edhe rizgjedhjen e Kurtit kryeministër e ka parashikuar Alfred Cako.

Cako ka thënë se, kryeministrin Kurti populli do ta përkrahë edhe pse e ka humbur shansin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Cako shton se Kurti është një lojtar ndërkombëtar, dhe nuk i bën me mendjen e vet këto gjëra që po i bën.

“Unë kam thënë edhe herave të tjera, se Kosova nuk futet në Këshillin e Evropës, për shkak se Kurti nuk do të pranojë Asociacionin dhe do të drejtohet me një palë zgjedhje të parakohshme popullit, se a do të pranojnë që të shesim në një pjesë të sovranitetit kombëtar për të hyrë në BE, apo s’pranoni. Kjo do të jetë pyetja në zgjedhje. Dhe populli i Kosovës do të votojë prapë Kurtin”, thotë Cako i cili shton se populli e pranon këtë sakrificë vetëm mos të humbas sovranitetin kombëtar.

Duke komentuar këtë parashikim të Cakos, Drejtuesi i Institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka thënë për “Bota sot”, se ai “rrallë e mall ia qëllon në analiza”.

“Alfred Cako është një senzacionalist që rrallë e për mall ia qëllon në analiza. A do të jetë Kurti përsëri kryeministër, a jo e vendos populli në Kosovë në zgjedhje, e jo Alfred Cako”, shprehet Sheholli.

Në anën tjetër, Cako kishte deklaruar se situata në Ballkan do të acarohet pas zgjedhjes së Kurtit dhe se ai parasheh një ndërhyrje të Serbisë në Kosovë, e pas kësaj NATO sipas tij, do të futet në Serbi.

I pyetur nga “Bota sot” se a është e “guximshme” Serbia aq sa të hyjë në luftë me NATO-n, Sheholli shprehet se nuk ka shtet që guxon të hyjë në aventura të tilla lufte.

Sipas tij, Serbia e provoi në shtator të vitit të kaluar, por u kthye me “bisht nën shalë”.

“ Serbia është një armik i shqiptarëve dhe Kosovës, por në Kosovë është NATO dhe nuk ka shtet që guxon të hyjë në aventura të tilla lufte. Serbia e provoi në shtator të vitit të kaluar, por u kthye me “bisht nën shalë” dhe ju bë me dije që çdo provokim do të jetë fatal për Serbinë”, shton Sheholli.