Pjesa jugore e Evropës po përballet me një valë të nxehti të enjten, dhe me një paralajmërim për kushte të rënda që vinin nga Agjencia Hapësinore e Bashkimit Evropian.
Sistemi i presionit të lartë atmosferik, i cili po përshkon Mesdheun nga Afrika e Veriut është quajtur Cerberus, – qenit me tre koka i cili ruante portat e botës së krimit sipas mitologjisë së lashtë greke.
Masat e emergjencës –përfshirë ndryshimet e personelit, sinjalizimet e celularëve dhe patrullimet e intensifikuara të zjarrit në pyje – u përgatitën ose u vunë në fuqi në disa vende pasi temperaturat në pjesë të Evropës Mesdhetare thuhet se do të arrijnë 45 gradë Celsius të premten dhe në fundjavë.
Në Athinë dhe qytete të tjera greke u ndryshua orari i punës për sektorin publik dhe shumë biznese për të shmangur vapën e mesditës, ndërsa zonat me ajër të kondicionuar u hapën për publikun.
“Është si të jesh në Afrikë,” tha për agjencinë AP turisti 24-vjeçar Balint Jolan, nga Hungaria. “Nuk është shumë më nxehtë se sa është aktualisht në shtëpi, por po, është gjendje e vështirë”.
Cerberus po gjurmohet nga Agjencia Evropiane e Hapësirës, e cila paralajmëroi se vala e të nxehtit do të ndihet edhe në pjesë të Evropës veriore.
“Italia, Spanja, Franca, Gjermania dhe Polonia po përballen të gjitha me një valë të madhe të nxehti, me temperatura që pritet të rriten në 48 gradë Celsius në ishujt e Siçilisë dhe Sardenjës – potencialisht temperaturat më të nxehta të regjistruara ndonjëherë në Evropë”, tha agjencia të enjten.
Në Arktik, një temperaturë e lartë rekord prej 28.8 gradë Celsius u shënua në Slettness Fyr në majën veriore të Norvegjisë, thanë të enjten meteorologët norvegjezë. Kjo thyen një rekord të mëparshëm nga korriku 1964 kur termometri arriti 27.6 gradë Celsius.
Organizata Botërore Meteorologjike e Kombeve të Bashkuara tha të hënën se temperaturat globale të regjistruara në fillim të korrikut ishin ndër më të nxehtat e regjistruara. Ndërsa politikanët spanjollë shqetësohen se si temperaturat e larta mund të ndikojnë në pjesëmarrjen në zgjedhjet e përgjithshme të këtij muaji, kafshët në kopshtin zoologjik të Madridit këtë javë po trajtoheshin me ushqime të ngrira për t’u freskuar.
Reklamat televizive në Itali u kujtuan banorëve të kujdesen për kafshët shtëpiake dhe të kontrollojnë rregullisht të afërmit e moshuar. Autoritetet ishin në pritje të autopsisë së një punonjësi rrugor 44-vjeçar, i cili u rrëzua pranë Milanos dhe vdiq më vonë në spital. Stuhitë gjatë natës prenë pemë në një rajon italian në kufi me Slloveninë dhe Austrinë, ndërsa breshri i madhësisë së topit të bejsbollit ra në luginat pranë Bergamos në Lombardi.
Reshjet e shiut dhanë njëfarë lehtësie në Kroaci, por urdhrat për evakuim u dhanë në disa zona pasi një zjarr përfshiu zonat bregdetare të vendit. Në Maqedoninë e Veriut, vapa e lartë shkaktoi një rritje të thirrjeve urgjente për ndihmë shëndetësore, ndërsa banorët në Kosovë, e cila gjithashtu nuk ka dalje në det, u dyndën në një plazh artificial pranë kryeqytetit Prishtinë.
Autoritetet në Qipro u kërkuan banorëve të ishullit mesdhetar të shmangin zonat pyjore ku zjarret mund të shkaktohen pa dashje, ndërkohë që shërbimet e urgjencës pranë Turqisë u përballën gjithashtu me zjarre dhe përmbytje të njëkohshme. Përmbytjet në bregun verior të Detit të Zi u morën jetën tre personave. Në rajonin jugperëndimor të Milasit, 26 avionë dhe helikopterë që hidhnin ujë ndihmuan 600 zjarrfikës të frenonin një zjarr.
“Ndërsa ka nxehtësi dhe zjarre në njërën anë të vendit, ka reshje dhe përmbytje në anën tjetër,” tha të enjten zëvendësministri i Bujqësisë Veysel Tiryaki. “Në vendin tonë, si dhe në mbarë botën, ne po luftojmë me ndryshimet klimatike.”/VOA