Qeveria e Kosovës po vazhdon të përballet me presion ndërkombëtar pas zhvillimeve të fundit, derisa po bënë hapa konkret për shpalljen e zgjedhjeve të reja, me qëllim të de-eskalimit të situatës në veri.
E këtë qëndrim të padrejtë dhe me presion, e kanë vërejtur dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët i dërguan një letër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Uashingtonit, duke kërkuar që të ndryshohet qasja në raport me Kosovën dhe Serbinë.
Ndërsa, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch mbështeti fuqishëm letrën e politikanëve të ndryshme evropian, të cilët kanë akuzuar Serbinë për pengimin e zgjedhjeve demokratike në Kosovë.
Me anë të një postimi në Facebook, Bosch thotë se Serbia duhet të dënohet publikisht për ndërhyrje në Kosovë, duke përmendur presionin që po iu bëhet serbëve në veri.
“A do të ndihmojë kjo në ndalimin e kuptimit ekstrem të Borel/Lajçak të pikëpamjes së Beogradit. Siç e kam shkruar edhe më parë, është Lista Serbe, ajo që u bën presion serbëve në veri që të mos bashkëpunojnë me Kosovën dhe de facto ua bën të pamundur jetën serbëve të moderuar. BE me sa duket nuk dëshiron ta njohë këtë… pse?”, ka shkruar Bosch.
Zogaj: Reagimet e këtilla nga bashkësia ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme
Opinionisti Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot” komentoi këtë paralajmërim të ish-ambasadorit holandez për Listën Serbe.
Së pari, ai u shpreh se ndërkombëtarët janë në njohur për grupaciont serbe të dirigjuara nga presidenti serb.
“Bashkësia ndërkombëtare i ka mirë të njohura makinecionet serbe, që nga Presidenti Vuçiq e deri te argatët e tij të Listës serbe, të cilët janë si brektorë të mjerë që me gugatje va e pa va janë mësuar të gëzojnë përfitime të mëdha”, deklaroi opinionisti.
Skender Zogaj
Krahas kësaj, tha se kjo dëshmon që po vlerësohet presioni nga Beogradi te serbët në veri, prandaj edhe po nxitën këso reagimesh.
“Mirëpo me gjasë mashtrimeve u ka ardhur fundi. Të paktën reagimet e diplomacisë kohëve të fundit janë të tjera. Reagimi i Ish-ambasadorit të Holandës në Kosovë. Robert Bosch është rasti konkret i vlerësimit real dhe presion ndaj Listës serbe, që është e qartë se po bën presion tek serbët e veriut për të mos i lënë të bashkëpunojnë me Kosovën”, theksoi ai.
Ndër të tjera, opinionisti e vlerësoi si shumë të rëndësishme reagimin e Bosch dhe disa diplomatëve të tjerë të Kosovës në të mirë të Kosovës.
Ai paralajmëroi se Lista Serbe ka për synim që sërish të dështojnë zgjedhjet në veri.
“Ky e reagimet e këtilla nga bashkësia ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme, sepse, pa një kësi presioni Serbia nuk ndalet, do të bëjë çmos që të mos mbahen zgjedhjet e reja! Dështimi edhe i një pale zgjedhjeve do të jetë synim i fuqishëm i Listës serbe, prandaj, ky proces duhet të perceptohet mirë nga institucionet e Kosovës dhe, në asnjë mënyrë të mendohet që të mbahen zgjedhje shkel e shko! Assesi, ngadalë, mirë në bashkë koordinim me faktorin ndërkombëtar”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.
Mulliqi: Institucionet tona duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me faktorin ndërkombëtar, sidomos me Amerikën mike
Ndërsa, analisti politik, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot” mbështeti deklaratën e ish-ambasadorit Bosch, theksoi se se Lista Serbe në bashkëpunim me grupe kriminale serbe po synojnë të tensionojnë sërish situatën në veri.
“Lista Serbe edhe pse vepron brenda institucioneve të Kosovës, gjithmonë është shërbyer me obstrukcione politike, duke instrumentalizuar minoritetin serb sipas direktivave politike të Beogradit zyrtar. Kjo listë së bashku me strukturat paralele kriminale bëri që të eskalojë situata në veri në dhunë. Ky ri – rrebelim i bandave serbe më në krye me Listën Serbe, po bëhet më qëllim të implementimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive, që nuk është e pranueshme për Kosovën.
Kur jemi këtu duhet theksuar së situatën nuk e ka eskaluar pala e Kosovës, por e ka eskaluar Vuçiq dhe Putin për të krijuar edhe një vatër të re të luftës në rajonin e Ballkanit, më kërkesën për shkëputjen e veriut të Mitrovicës nga jugu, pastaj shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnja përmes Dodikut, për të rrumbullakosur kështu planin për formimin e Serbisë së Madhe. Ish ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, i cili shquhet më deklarimet e tija korrekte politike, ka thënë se Lista Serbe po iu bëjnë presion serbëve që mos të bashkëpunojnë më Kosovën”, deklaroi analisti.
Skender Mulliqi
Krahas kësaj, Mulliqi përmendi edhe disa lëvizje të fundit të Amërikës, që lidhen me sanksionimin e disa politikanëve serbë, ndër të tjera Vulinin
Kësisoj, ai vlerësoi se duhen të vijnë ndërmjetësues të rinj në dialogun Kosovë-Serbi, derisa duhet edhe të merren masa ndëshkuese ndaj shtetit serb.
“Disa lëvizje politike kohëve të fundit nga Amerika, ku DASH, shpalli masë ndëshkuese ndaj shefit të BIA-së serbe, Aleksander Vulin, bashkëpunëtorit më te ngushtë të Vuçiqit, kanë ngjallur shpresat se do të kemi një qaje më pozitive ndaj vazhdimit të bisedimeve Kosovë-Serbi, e që deri më tash BE-ja dhe Escobar më shumë i dolën në krahë politikës dyftyrëshe, të Aleksander Vuçiqit, për çka edhe Kosova padrejtësisht mori ndëshkime politike dhe ekonomike nga BE-ja. Duket se do të kemi njerëz të rinj nga BE-ja dhe Amerika, si ndërmjetësues në vazhdimin e dialogut. Kjo edhe mund të jetë spekulative, por megjithatë një qasje e re ndëshkuese ndaj Serbisë, edhe pritet të ndodhë”, theksoi ai.
Më tej, analisti, kërkoi bashkëpunim të Kosovës me ndërkombëtarët për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri, kjo pasi përmendi mundësinë e bojkotimit të serishëm të zgjedhjeve.
“Ky shtet duhet të ndëshkohet me masa të rrepta ekonomike dhe politike deri në izolim të pushtetit hipokrit të Beogradit zyrtar. Nëse dështojnë edhe këto zgjedhje që pritet deri në vjeshtë të organizohen, atëherë, BE-së dhe Amerikës nuk iu mbetet gjë vetëm se veprim konkret ndaj Vuçiqit duke e ndëshkuar atë si Vulinin si person të padëshirueshëm, e që në fakt edhe është, se Vuçiqi është eksponent politik i regjimit të Millosheviqit.
Institucionet tona duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me faktorin ndërkombëtar, sidomos me Amerikën mike. Bojkotimi i ri i zgjedhjeve i kërkuar nga Lista Serbe, e përkrahur si gjithmonë nga Vuçiqi, kësaj radhe do ta mbështet BE-në për muri, për të ndryshuar krejt qasjen politike ndaj Serbisë problematike në rajon. BE-ja gjithashtu në kuadër të shtensionimit të situatës së krijuar qëllimisht nga Serbia për ndarje mbi bazat etnike, duhet t’i heq masat e padrejta të embargos ndaj Kosovës. Shteti ynë duhet të mendojë mirë që Lista Serbe të largohet nga institucionet për mos ndryshim të mendesisë të saj shoviniste serbomadhe”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”.