Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Paralajmërimi i fuqishëm i Macron për Kosovën, vjen thirrja për Kurtin – ja si të veprohet

Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi të hënën Kosovën dhe Serbinë se do të përballen me pasoja nëse nuk veprojnë me përgjegjësi kundruall situatës në veri të Kosovës.

Gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të ambasadorëve francezë në Paris, presidenti Macron theksoi se Franca dhe Gjermania kanë ofruar një propozim për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke iu referuar planit për të cilin palët u pajtuan më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.

“Presim një ri angazhim të qartë nga të dyja palët”, tha presidenti Macron duke u bërë thirrje atyre të punojnë për organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës, që serbët të kthehen në institucionet e vendit dhe situata të shtensionohet.

Komentet e Macronit vijnë në një kohë kur Kosovës i është bërë thirrje vazhdimisht të kthehet në dialog me Serbinë dhe t’i organizojë zgjedhjet e reja në veri të vendit.

Vlen të theksohet se, Kosova ka shprehur gatishmëri për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, tha më 21 gusht se procesi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës do të determinohet së shpejti.

Zogaj: Refuzimi padyshim që do të jetë i rëndë dhe me pasoja

Opinionisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se deklarata kërcënuese e Macronit është shumë serioze.

Ai tha se me këtë që tha presidenit francez edhe mund të thellohen sanksionet, prandaj duhet të merret parasysh kjo gjë.

Image
Opinionisti Skënder Zogaj

“E gjithë deklarata e Presidemtit francez Emmanuel Macron është përsëritje e qëndrimeve që i kanë shprehur personalitetet më të fuqishme të BE-së dhe të cilat i ka pëlqyer dhe SHBA-ja dhe që bashkarisht ia kanë parashtruar Kosovës dhe Serbisë, nëse ato janë të interesuara të integrohen në struktirat euro-atlantike. Kjo që Macron e ka rideklaruar para ambasadorëve është dëshmi se, Franca dhe Gjermania vazhdojnë të insistojnë seriozisht që Kosova dhe Serbia duhet të sillen përgjegjshëm, përndryshe nësë dështojnë, masat do të thellohen, do të ketë sanksione të reja, jo vetëm në mos liberalizimin e vizave, por do të ketë edhe në çështjet ekonomike”, deklaroi opinionisti.

Sipas Zogajt, refuzimi i kërkesave të Macron mund të ketë pasoja.

“Macron ka theksuar decidivisht mbajtjen e zgjedhjeve në veri, kthimin e serbëve në institucione dhe asociacionin. Këto janë obligime që Kosova I ka deklaruar se do t’i realizojë, prandaj, nuk duhet të hezitojë, por merr qëndrim të prerë: t’i realizojë ose refuzojë! Refuzimi padyshim që do të jetë i rëndë dhe me pasoja, mirëpo është më i dobishëm se sa shtyerja, sepse zhagitja është në favorin e Serbisë, ia shton profitin”, theksoi ai.

Ndër të tjera, opinionisti shtoi se në rast se Serbia refuzon kërkesat e BE dhe presidentit francez, Kosova do të jetë në avantazh të lartë nëse i merr për bazë ato.

“Asociacioni me plotësimet nga kushtetueja pse vonohet? Zgjedhje në veri nuk ka pse vonohen, dhe do t’i detyrojë serbët të kthehen në institucione. Nëse eventualisht edhe pas zgjedhjeve dhe formimit të asociacionit serbët nuk kthehen në institucione, është punë e tyre, dhe unë jam i bindur se, Kosova do të jetë në avantazh të lartë dhe përfundimisht, ia këput bishtin mashtrimeve të Vuçiqit”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Kujtojmë se, Bashkimi Evropian vendosi në qershor masa ndëshkuese ndaj Kosovës, për shkak të siç thuhet, dështimit të qeverisë që të marrë hapa për uljen e tensioneve në komunat veriore të vendit, të banuara me shumicë serbe.

Haziri: Deklarata e presidentit francez Macron për mundësinë e ndëshkimeve është mjaft serioze

Edhe analisti politik, Nexhat Haziri i sheh serioze deklaratat e Macron.

Image
Analisti politik, Nexhat Haziri

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se ato janë shqetësuese për Kosovën dhe qeverinë tonë.

“Deklarata e presidentit francez Macron për mundësinë e ndëshkimeve në rast te dështimit për ta kthyer normalitetin në veri të vendit, ku ai përmend Kosovën dhe Serbinë, është mjaft serioze që duhet te paraqes shqetësim për qeverinë e Kosovës”, deklaroi analisti.

Po ashtu, tha se kjo duhet merret parasysh pasi po vjen nga një shtet i fuqishëm siç është Franca.

“Kjo deklaratë e Macronit nuk duhet parë vetëm si një presion brenda asaj që quhet lojë diplomatike, por si dicka që realisht mund të ndodhë dhe se vjen nga një vend i rëndësishëm, ndër me të rëndësishmit, pas Gjermanisë, siç është Franca në BE”, shpjegoi ai.

Në fund, analisti kërkoi nga kryeministri Kurti t’i marrë seriozisht paralajmërimet e Macron.

“Shpresoj se qeveria e Kosovës, konkretisht z. Kurti që të reflektoj dhe të filloj ta marrë më seriozisht procesin e normalizimit të gjendjes në veri të Kosovës duke berë hapin e parë e që është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme lokale në katër komunat veriore të vendit, hartimin e statutit të AKS sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Republikes së Kosovës dhe të jetë më bashkëpunues dhe më koordinues me aleatet strategjik e politik të Kosovës”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.