Profesori universitar Enver Bytyçi përmes një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me protestën që gjatë ditës së djeshme është bërë në Shqipëri për nder të Kosovës.
Ai u shpreh se edhe gjatë ndeshjes së sotme të Shqipërisë me Moldavinë ka pasur forcë ndjenja për Kosovën dhe Mitrovicën, përcjell “Bota sot”.
Sipas tij, çdo përpjekje për ta ndarë Kosovën do të sjellë luftë dhe se nëse kjo politikë do të vazhdojë të vij në konsideratë, duhet harruar se Kosova, Serbia, Shqipëria e rajoni do të jenë të qetë e stabil.
Postimi i plotë
Dje disa qindra shqiptare protestuan para kryeministrisë së Republikës së Shqipërisë për të shprehur përkrahje për Kosovën dhe pandashmërinë e saj. Ata kundërshtuan qëndrimin e kryeministrit shqiptar sa i përket ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës. Sot në ndeshjen e futbollit midis Shqipërisë dhe Moldavisë mijëra tifozë shprehen me forcë ndjenjat e tyre për Kosovën dhe sidomos Mitrovicën. Pashe gjithashtu se në Kosovë ka një shqetësim serioz për politikat anti-shqiptare të ndarjes së vendit!
Duhet kuptuar qartë: Çdo përpjekje e Serbisë për ndarjen e Kosovës do të sjellë luftë. Edhe nëse qeveria e Kosoves do ta pranonte këtë. Prandaj disa segmente të komunitetit perëndimor si dhe kryeministri i Shqipërisë e jo pak opozitarë në Kosovë e në Shqipëri duhet të heqin dorë menjëherë nga përpjekjet për ta copëtuar territorin e Kosovës në favor të Serbisë dhe për ta zhbërë shtetin e saj.
Nëse kjo politikë do të vazhdojë të vij në konsideratë, duhet harruar se Kosova, Serbia, Shqipëria e rajoni do të jenë të qetë e stabil. Stabilokracia e bazuar në autokraci do ta shkaterrojë të ardhmen euro-atlantike të këtyre shteteve dhe të Ballkanit Perëndimor!