Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Paralajmërimi për zgjedhje të parakohshme, vjen deklarata e fortë – parashikohet koalicion i LVV-së me një nga partitë opozitare!

 
   

Kohët e fundit, po përflitet tej mase mundësia e zgjedhjeve të parakohshme.

Në vazhdimës, vijnë deklarata nga partitë opozitare, madje edhe deputetë të partisë në pushtet (në këtë rast Mimoza Kusari-Lila) se mund të ketë zgjedhje të parakohshme.

E në këtë rast, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinajt ka dhënë edhe “detaje” dhe kohë se kur mund të mbahen ato

Ky i fundit, ka paralajmëruar se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mund të mbahen në pranverë.

Për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Së pari, ai përmendi disa nga të arriturat e kryeministrit Kurtit gjatë këtyre viteve qeverisje.

“Duke pasur parasysh, se kryeministri Albin Kurti, është i pari që në zgjedhjet e pasluftës, ka ardhur në pushtet me më shumë se 50% të votave të qytetarëve të Kosovës dhe njohur pathyeshmërinë e personalitetit të tij, si me bandat kriminale serbe në veri, ku për herë të parë pas çlirimit, ka vendosur rendin e ligjin dhe shtrirë sovranitetin e plotë shtetëror të Republikës së Kosovës, si dhe qëndrueshmërinë e treguar në ballafaqimin e ashpër me Vuçiqin dhe veçanërisht me udhëheqësit e lartë pro-serb të politikës së jashtme të BE-së, në Bruksel si Josep Borell dhe emisari i lartë Mirosllav Lajçak, përkundër dëshirave utopike të Ramush Haradinajt, Kurti nuk është njeri i cili edhe pas këtij rezultati votimesh dhe sukseseve të treguara veçanërisht me dëbimin e banditëve serbë, ndalimin e  organizatave terroriste serbe dhe qetësimin e plotë të gjendjes në veri, do t`ia lejonte vetes, që të largohej, i mundur dhe kaq kokëulur nga qeverisja, që të lejonte forcat e inkriminuara politike të cilat ua falën tokat tona autoktone, shteteve fqinje dhe bënë pazare edhe për ndarjen e Kosovës me Serbinë, serish të vijnë pa therrë në këmbë, në pushtet, tanimë kur edhe Vettingu-gjegjësisht reforma në drejtësi, ka marrë dritën e gjelbër nga Gjykata Kushtetuese dhe pritet të ketë punë të madhe me paligjësitë e udhëheqësve të opozitës!” – deklaroi analisti.

 Image
 Gani Qarri. 
 

Krahas kësaj, Qarri tha se një nga arsyjet që opozita dëshiron zgjedhje, qëndron te frika e Vettingut dhe ndjenja e fajit që ata kanë.

“Prandaj, sa më shumë që ofrohet futja e Vettingut në sistemin e kapur të drejtësisë, ku njerëzit si Blerim Isufaj duhet të japin përgjegjësi penale dhe tregojnë se me urdhër të cilës parti dhe politikan opozitar iu hoq fletarresti një kryekrimineli serb, organizatorit të sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023, në Banjë të Zveçanit ku u vra edhe rreshteri i policisë së Kosovës heroi Afrim Bunjaku, si dhe udhëheqësit të organizatës terroriste serbe të ashtuquajtur “brigada e veriut” Milan Radojçiq, pushtetarët e dikurshëm që duket se tanimë, kanë filluar ta ndjejnë fajësinë që kanë bërë, duke e pritur në zyrën e kryeministrisë terroristin me nam Radojçiq, me shpresën se po ra Qeveria Kurti, do t’i shpëtojnë dënimit, ata orë e çast, kërkojnë zgjedhje të reja, ani pse, në zgjedhjet e radhës, parti si AAK, mund të bien edhe nën pragun zgjedhor”, nënvizoi ai.

Më tej, analisti përmendi afërsinë e Haradinajt me Radoiçiqin, dhe frikës së kreut të AAK-së që me themelimin e Vettingut do iu konfiskohet pasuria e kundërligjshme.

“Madje, siç dihet nga mbarë opinioni qytetar i Kosovës, njëri nga bashkëpunëtorët më të pre-ekspozuar, gjatë gjithë kohës të Milan Radojçiqit, veçanërisht në vitet që përkohësisht mbajti pozitën e kryeministrit të vendit, ishte vet Ramush Haradinaj kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili duket se shpëtimin e vet nga dënimi i mundshëm i drejtësisë së reformuar me Vetting, e sheh te zgjedhjet e parakohshme, që ato madje shpreson, të mbahen edhe në këtë pranverë në Kosovë, apo gjithsesi para futjes së Vetting-ut dhe fillimit të konfiskimeve të pasurive të kundërligjshme, për të cilat, shumica e politikanëve në pozitat udhëheqëse të opozitës, vazhdojnë të dyshohen”, shpjegoi Qarri.

Në fund, ai parashikoi edhe një koalicion të LVV-së me një nga partitë opozitare, në mënyrë që qeveria e ardhshme e LVV-së të “siguronte dy-të tretat e votave, për votimin e ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”.

“E vetmja gjë apo ndryshim që mund të ndodhë në qeverisjen aktuale, mund të jetë, vetëm një para-marrëveshje ndërpartiake me ndonjërën nga partitë opozitare, si masë e përgatitjeve parazgjedhore, për krijimin e një koalicioni të mundshëm ndërpartiak, në mënyrë që Qeveria e ardhshme (e LVV-së) në zgjedhjet e radhës, të siguronte dy-të tretat e votave, për votimin e ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, veçanërisht marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE, në dialog me Serbinë, të cilat nuk mund, as nuk do duhej të kalonin, pa miratimin e tyre, me shumicën e votave të deputetëve dhe vullnetin e shprehur të shumicës parlamentare në Kuvend”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.