Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Paralajmërimi që bëri kryeministrit Kurti me deklaratën e tij/ Analistët zbardhin prapaskenat, ja pse ndëshkimi i Serbisë është urgjent!

Në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Më 29 shtator 2023, Millan Radoiçiq, përmes një letre të cilën e ka lexuar avokati i tij, Goran Petronijeviq, e ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe e ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët.

Ndërsa së fundmi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të ndëshkohet dhe sanksionohet ndërkombëtarisht për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, pasi në të kundërt sipas tij, shteti serb do ta përsërisë krimin.

Kurti për gazetën malaziase ka thënë se është e qartë që sulmi ka kërcënuar integritetin e sovranitetin shtetëror dhe sigurinë kombëtare.

Teksa shtoi se u nxorën në pah vështirësitë, si dhe nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë.

“Pra, nevoja për ndëshkim të hapur – dhe atë me gjuhë të qartë dhe të përshtatshme – si dhe kërkesa e shprehur e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë. Po e përsëris se provat e mbledhura gjatë hetimeve të kryera tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni kundër Republikës së Kosovës. Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”- ka deklaruar Kurti.

Elezaj: Kosova nuk duhet të kthehet në dialog pa u ndëshkuar Serbia

Në lidhje me këtë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Ai radhit disa nga gjërat që mund të ndodhin nëse nuk ndëshkohet Serbia duke përfshirë këtu që nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Deklarata e kryeministrit Kurti, se nëse sulmi terrorist i 24 shtatorit i udhëhequr nga banditi dhe krye-krimineli M. Radojçiq, nuk do të ndëshkohet nga BE-ja, Serbia do t’i përsëris krimet dhe sulmet ndaj Kosovës, nënkupton disa gjëra;

Në rend të parë, se vazhdimi eventual i përkëdheljes së Serbisë nga faktorët ndërkombëtarë, nuk do të sjellë kurrë paqe dhe stabilitet në Ballkanin perëndimor, kur dihet se regjimi fashist i Beogradit zyrtar në krye me racistin A. Vuçiq, për asnjë çast nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës.

Së dyti, mos ndëshkimi eventual i Serbisë nga BE-ja, Anglia dhe SHBA-të, do ta inkurajon regjimin hegjemonist të Beogradit zyrtar, që ta forcojë dhe armatos edhe më shumë ushtrinë e tij kriminale me armë të reja të sofistikuara, të cila në rast të konfliktit eventual të armatosur në veri të Kosovës, do t’i përdorte ato armë, duke ndërhyrë me ushtrinë e saj, kinse në mbrojtje të popullatës serbe, për ta krijuar një gjendje të re në teren, e që pastaj gjatë negociatave me KFOR-in dhe EULEX-in ta negocioi autonominë e serbëve në veri, ose dhe shkëputjen e tij të plotë nga Kosova.

Së treti, nëse regjimi fashist i Serbisë nuk do të ndëshkohet ditëve në vijim nga BE-ja dhe SHBA-të për sulmin kriminal dhe aktin terrorist ndaj Kosovës me 24 shtator në fshatin Banjskë afër Zveçanit, kur vranë rreshterin e policisë së Kosovës, tani heroin Afrim Bunjaku, nënkupton qartë se regjimi serb dhe kreu i tij, A. Vuçiq, do të vazhdojë me provokime të reja në veri të Kosovës përmes Listës serbe dhe bandave të saj, anëtarë të grupit “Mbrojtja civile” dhe “Brigadat e Veriut”, të shpallura nga qeveria jonë si grupe terroriste në Kosovë”, shpjegoi analisti.

Më tej, ai theksoi që pala e Kosovës duhet të veprojë ashtu siç po kërkojnë disa zëra në Prishtinë, se nuk ka kthim në dialog me Serbinë, pa u ndëshkuar regjimi kriminal i Serbisë me masa konkrete.

“Pra, do vazhdojnë të organizojnë sërish protesta, sulme ndaj policisë së Kosovës si dhe ngritje të barrikadave, në emër të gjoja mbrojtjes së serbëve lokal në veri nga “terrori i Albin Kurtit”, siç po e përsëritë këtë rrenë morbide “Putini i vogël”, pra A. Vuçiq në çdo konferencë me gazetarë si dhe në takimet ndërkombëtare, siç ishte samiti i fundit i liderëve evropianë në Granada të Spanjës etj.

Prandaj, pala e Kosovës duhet të veprojë ashtu siç po kërkojnë disa zëra në Prishtinë, se nuk ka kthim në dialog me Serbinë, pa u ndëshkuar regjimi kriminal i Serbisë me masa konkrete, i cili, jo vetëm që e ka ditur se krimineli Radojçiq po përgatit sulm terrorist në veri të Kosovës, por është vetë kreu i shtetit serb, A. Vuçiq, ai i cili e ka mbështetur dhe armatosur këtë grup prej 90 paramilitarëve, një ndërmarrje e përbashkët kriminale kundër Kosovës, për ta okupuar e veriun e Kosovës dhe më pas edhe aneksimin e tij Serbisë”, thotë ai.

Ndër të tjera, analisti shtoi që skenari i Serbisë u shua me anë të kundërpërgjigjes së fortë që Kosova i dha.

“Mirëpo, dha Zoti dhe skenari i tyre antishqiptar dhe terrorist ndaj Kosovës iu dështoi me turp dhe humbje të mëdha në njerëz dhe armatim, pranë të cilës humbje, regjimi fashist i Serbisë nuk do të ndalët nga provokimet e reja ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, qoftë me sulme të reja terroriste, qoftë duke ndërmarrë aksione tjera diplomatike në arenën ndërkombëtare.

Mendoj, se derisa në Serbi të jenë në pushtet politikanët ekstremist radikal dhe ultra-nacionalist e serbomëdhenj, siç është A: Vuçiq, nxënës i kriminelit të luftës V. Sheshel, A. Vulin, M. Drecun, A. Bërnabiq, ministri i mbrojtjes, çetniku ordiner, Millosh Vuçeviq, dhe shumë të tjerë, Kosova, por as Ballkani perëndimor nuk do të kenë kurrë qetësi, stabilitet dhe siguri për popujt e këtij rajoni”, foli Elezaj për “Bota sot”.

Mehazi: Terroristët serbë në veri të Kosovës më 24 shtator zbuluan hapur fytyrën e vërtetë të Vuçiqit

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se nëse sulmi i terroristëve serbë nuk ndëshkohet atëherë ndërkombëtarët duhet të turpërohen pasi që manovrat e Vuçiqit tashmë janë bërë publike.

Nëse sulmi i terroristëve serbë i 24 shtatorit në Banjsķë nga BE-ja mbetet e pa ndëshkuar me sanksione të rrepta diplomatike, ekonomike e financiare ndaj Serbisë, atëherë Vuçiqi jo që do ta sfidonte dhe më shumë Kosovën me sulme terroriste revanshiste të ripërsëritura, por do turpëronte dhe BE-në e drejtë dhe demokratike, themi kështu për shkak se policia e Kosovës, Vuçiqit ia ka zbuluar të gjitha manovrimet tinëzare kriminale e terroriste luftarake në Banjskë ndaj sovranitetit të Kosovës dhe se ai nuk është për dialog paqësor, po flet me gjuhën e terroristëve serbë të Radoiçiqit.

Kështu që deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit: “se nëse sulmi i 24 shtatorit mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”., duhet të jetë serioze e jo e shurdhër në veshët e diplomacisë evropiane dhe amerikanë për shkak se do konsiderohen si të papërgjegjshëm ndaj paqës në mes dy shteteve armiqësore”, thekson ai.

Profesori në bisedë e sipër shtoi që përveç sanksioneve të ashpra ndaj Serbisë, përgjegjësi dhe sanksionuese duhet të marrin edhe dy përfaqësuesit të BE-së, Lajçaku dhe Borelli të cilët padrejtësisht përkrahnin terroristin e madh serb, Vuçiqin.

“Terroristët serbë në veri të Kosovës më 24 shtator zbuluan hapur fytyrën e vërtetë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, se krye-terroristi në Banjskë paskësha qenë vetë presidenti i Serbisë dhe se BE-ja e SHBA-ja sulmet terroriste serbe në veri të Kosovës duhet t’i sanksionojnë si Terrore Shtetërore Serbe.

Përveç sanksioneve të ashpra ndaj Serbisë, përgjegjësi sanksionuese duhet të marrin edhe dy përfaqësuesit të BE-së, Lajçaku dhe Borelli të cilët padrejtësisht përkrahnin terroristin e madh serb, Vuçiqin, kundruall kryeministrit të Kosovës që ishte, është dhe do të jetë për marrëveshje paqësore e jo terroriste sikurse Serbia.

Paralajmëruesja e masave sanksionuese e ndëshkuese ndaj Serbisë, zonja Viola Von Cramon, deklatoi qartë se Serbia në krye me terroristin Vuçiqin nuk do mund të ju shpëtojë sanksioneve ekonomike e financiare, mirëpo BE-ja duhet të veprojë dhe të kundërtën, tani më BE-ja nuk ka asnjë arsye të mos ia heqin sanksionet Kosovës së pafajshme e të dënohet e sanksionohet Serbia në vend të Kosovës”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.